Fier
Përfaqësuesi i së djathtës, Kastriot Llanaj, akuzohet për shfrytëzimin e një bashkëfshatareje
Një këshilltar i Qarkut Fier për dy mandate me radhë, përfaqësues i “Aleancës për Qytetarin” në këtë institucion, është arrestuar nga policia lokale, pasi rezulton i dënuar në Itali për favorizim prostitucioni. Sipas njohjes së vendimit nga gjykata shqiptare për një dënim të dhënë nga drejtësia italiane disa vite më parë, rezulton se ai akuzohet se ka shfrytëzuar një bashkëfshataren e tij si prostitutë në vendin fqinj. Policia e Fierit tha zyrtarisht se Kastriot Llanaj, 41 vjeç, nga Cakrani i Fierit, është ndaluar pas njohjes nga ana e Gjykatës së Fierit, të vendimit penal të Gjykatës së Apelit Assise Milano të vitit 2003. Kjo e fundit e ka dënuar të arrestuarin me 9 vjet heqje lirie dhe 33.570 euro gjobë për veprat penale të “favorizimit të prostitucionit dhe emigracion të paligjshëm të shtetasve të huaj”. Nga konvertimi i bërë nga Gjykata e Fierit, dënimi i tij ka mbetur i njëjtë, me 9 vjet burg dhe 4.087.147 lekë gjobë. Mësohet se Llanaj ishte ndaluar edhe disa vite më parë, pas njohjes së të njëjtit vendim nga Gjykata e Fierit, por më pas është lënë i lirë, pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Apelit Vlorë. Por, Gjykata e Lartë e ka kthyer për rigjykim çështjen duke rrëzuar vendimin e Apelit. Me vendim të datës 21.04.2010, Gjykata e Lartë ka vendosur prishjen e vendimit të parë të Gjykatës së Apelit Vlorë të vitit 2009 dhe dërgimin e akteve për rishqyrtim në atë gjykatë, me tjetër trup gjykues. Sipas kolegjit të bashkuar, Gjykata e Apelit Vlorë ka ndërhyrë në përmbajtjen e vendimit të dhënë nga Gjykata e Milanos, duke bërë korrigjimin e këtij vendimi, pasi në vend të datës së lindjes 27.08.1971, përkrah identitetit të Kastriot Llanajt, ka vendosur datën 27.09.1971. Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit ka bërë ankimim prokurori i çështjes, Petrit Vukaj. Pas kësaj kërkese, kolegji i Gjykatës së Lartë, më datë 20.4.2012 vlerësoi se vendimi i Gjykatës së Apelit Vlorë është i gabuar dhe i pabazuar në ligj, ndërkohë që vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier është i drejtë, i bazuar në ligj dhe në prova. Pas këtij vendimi, policia ka ekzekutuar urdhrin e prokurorit Vukaj për prangosjen e 41-vjeçarit Llanaj. Ky i fundit është gjetur fajtor nga Gjykata e Milanos për shfrytëzimin e bashkëfshatares së tij A. Ç, si prostitutë. Pasi është kthyer në atdhe, Llanaj i është kushtuar politikës lokale nën siglën e demokratëve, duke arritur të zgjidhet deri në këshilltar qarku, ku përfaqëson grupimin “Aleanca për qytetarin”.