Një i ri nga Katund Sukthi, fshati ku ndodhi vrasja e kryekomisarit Adem Tahiraj ka “sfiduar” policinë e Shijakut. I riu, i identifikuar si Idlir Dervishi, 37 vjeç, është veshur si polic dhe ka nisur të tallej me efektivët e policisë që ndodheshin në shërbim në hyrje të godinës së Komisariatit të Shijakut.
Ai ka nisur të fyejë dhe shajë, ndërkohë që nën uniformë mbante një thikë, mjet i cili i plotësonte kushtet e klasifikimit si armë e ftohtë. Dervishi ka vijuar sulmin verbal ndaj punonjësve të policisë që ndodheshin në shërbim dhe nuk u është bindur urdhrave të tyre, deri në çastin që ata kanë reaguar dhe neutralizuar.
Ndaj 37-vjeçarit janë ngritur 4 akuza për kryerjen e veprave penale të “Kanosjes për shkak të detyrës”, “Mosbindjes ndaj urdhrave të ligjshëm të punonjësve të Policisë së Rendit Publik”, “Mbajtjes pa të drejtë të uniformës” dhe “Prodhimit e mbajtjes pa leje të armëve të ftohta”. Në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës ende të habitur për guximin e këtij individi shprehen jozyrtarisht se duhet të jetë person me probleme të shëndetit mendor, por askush nuk e konfirmon këtë. I arrestuari nuk njihet si person me precedentë penalë.
22 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)