Operacioni – Policia e Tiranës zbulon një mekanizëm të ri të krimeve kompjuterike
Hetimet
“Piratët” – Personat e arrestuar, frekuentues të lojërave të fatit, mendohet se pultin e jashtëligjshëm, e kanë blerë nga piratë kompjuterësh
Telekomanda – Me këtë telekomandë rriteshin fiktivisht pikët në kompjuterin e lojërave të fatit, që në përfundim të lojës konvertohen me para
Të arrestuarit – Nga ky operacion u arrestuan Bledar Mino, 32 vjeç, Meridian Çela, 33 vjeç, dhe Robert Meta, 38 vjeç, të gjithë banues në Tiranë
Bledi Gilaj
Pasi kishin provuar fatin në lojëra fati dhe gjithmonë kishin dalë të humbur, ata kishin gjetur zgjidhjen për të mundur kompjuterët e kazinove dhe të fitonin para. Duke përdorur marifetet elektronike, ata mendohet se kanë vjedhur vlera të ndryshme parash, veprim të cilin po e kryenin në një tjetër kazino, pranë ish-Ekspozitës “Shqipëria Sot”, kur janë arrestuar nga oficerët e krimeve kompjuterike. Ata ishin kthyer në makth për pronarët e lokaleve me lojëra fati, apo të kazinove të ndryshme, pasi dyshohet se bashkëpunonin edhe me stafin e brendshëm të këtyre bizneseve për të realizuar vjedhjet e tyre.
Operacioni
Policia tha se hetimet për identifikimin dhe kapjen e këtyre personave kanë nisur me kohë dhe vetëm dy ditë më parë kanë mundur t’i vënë në pranga. Sipas të dhënave zyrtare, rreth orës 03.30, nga shërbimet e Seksionit Kundër Krimeve Kompjuterike u bë arrestimi në flagrancë i të dyshuarve Bledar Llazar Mino, 32 vjeç, banues në Kombinat, Meridian Reshat Çela, 33 vjeç, banues në Dajt dhe Robert Ahmet Meta, 38 vjeç, banues në Kombinat. “Arrestimi i tyre u bë në njërën nga kazinotë e Tiranës, pranë ish-Ekspozitës për arsye se të tre këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprën penale të mashtrimit kompjuterik”, deklaroi zyrtarisht Policia e Tiranës. Më tej u tha se vjedhjet janë kryer në disa raste dhe në disa pika të kazinove me vendndodhje në qytetin e Tiranës. Sipas informacioneve, ata mendohet se ushtrojnë aktivitetin e paligjshëm që nga janari i këtij viti, ndërkohë që shërbimet e Seksionit Kundër Krimeve Kompjuterike janë duke punuar për identifikimin e autorëve të tjerë të implikuar në këtë aktivitet të rëndë kriminal.
Mekanizmi
Nga grupi hetimor mësohet se të tre ishin lojtarë të lojërave të fatit dhe në muajin janar mendohet se kanë blerë një telekomandë, pothuajse në madhësinë e një pulti, me anë të të cilit realizonin mashtrimin kompjuterik. Pasi ata fusnin një sasi të vogël parash në kompjuterin e lojërave të fatit, me anë të pultit, të përgatitur posaçërisht për të çaktivizuar këto programe të veçanta, rrisnin në mënyrë fiktive pikët, që në përfundim të lojës, konvertohen me para. Për të mos rënë në sy të kontrollorëve apo kamerave, ata mblidheshin të tre pranë një makine kompjuterike, ose futeshin në kompjuterë pranë njëri-tjetrit dhe luanin rol, sikur po fitonin, ndërkohë që pikët i shtonin me telekomandë. Në përfundim, ata konvertonin pikët me para dhe largoheshin. Në disa raste, ata dyshohet se kanë bashkëpunuar edhe me personelin e kazinove, të rëna pre e hajdutëve, duke i joshur me shuma të ndryshme parash, me qëllim që ata të mos ngrinin shqetësimin e fitimeve, të cilat dilnin kundër programimeve të kryera në këta kompjuterë. Tre të arrestuarit u diktuan fillimisht nga punonjësit e sigurisë së kazinosë, të cilët njoftuan policinë, që bëri ndalimin e tyre dhe sekuestrimin e telekomandës “çudibërëse”.
“Piratët”
Hetim për prodhuesit e “pultit çudibërës”
Policia shprehet se tre të arrestuarit nuk janë autorët e prodhimit të telekomandës, me të cilën realizohej mashtrimi kompjuterik, kështu që kanë nisur hetimet për zbulimin e prodhuesve. Sipas të dhënave, kjo telekomandë mendohet të jetë realizuar nga piratë kompjuterësh, ose njohës absolutë të elektronikës. Ndërkaq, nuk përjashtohet mundësia e importit të saj.