Kuvendi është përfshirë nga debate dhe tensione që në nisje të seancës. Prania e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ka sjellë edhe protestës e deputetëve të opozitës, të cilët kanë theksuar se Balluku duhet të kishte dhënë dorëheqje dhe duhet të ishte përballur me drejtësinë. Opozita e ka quajtur një provokim nga ana e mazhorancës.
Gazment Bardhi kërkoi largimin e zv.kryeministres dhe ministres Belinda Balluku nga salla, e po ashtu i kërkoi kryeparlamentarit Niko Peleshi të hapte votimin për heqjen e mandatit të saj. Ndërkohë, ky i fundit vijoi me leximin e fjalimit të tij hapës dhe rendit të ditës, teksa herë pas here hidhte batuta për të bërtiturat e Bardhit.
“Si nuk u lodhe o burrë”, dëgjohet Peleshi duke iu drejtuar Gazment Bardhit i cili fliste mbi fjalën e tij duke kërkuar largimin e zv. kryeministres nga salla e Kuvendit.
“Do kontrollosh ti Edi Ramën? Për kë kontroll po flet? Mblidh këshillin, dorëzoja drejtësisë”, dëgjohet Bardhi duke iu drejtuar Peleshit.




