fakulteti-filologjik-universiteti-i-TiranesVendimi


Përllogaritja e pikëve bëhet nga shkollat, ndërsa njëvlershmëria e dokumenteve nga MAS


Këshilli i Ministrave ka përcaktuar notën 6 si mesataren për t’u pranuar në Institucionet e Arsimit të Lartë. Vendimi u mor në mbledhjen e djeshme të qeverisë për të gjithë ata kandidatë që duan të vazhdojnë studimet në programet e ciklit të parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet e arsimit të lartë për vitin akademik 2016-2017.


“Për të gjithë kandidatët, që kanë përfunduar nivelin e arsimit të mesëm të lartë, nota mesatare për pranim në programet e studimeve të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2016-2017, të jetë 6 (gjashtë)”, thuhet në VKM. “Nota mesatare për pranim në institucionet e arsimit të lartë, përllogaritet si mesatare aritmetike e thjeshtë e treguesve të mëposhtëm: Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit  në arsimin e mesëm të lartë; Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të maturës/Maturës Shtetërore; Kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare me karakter profesional nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të parashikuar në këtë vendim”, thuhet në vendimin e qeverisë. Sipas tij, institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë dhe njësitë arsimore vendore janë përgjegjëse për përllogaritjen e notës mesatare dhe përcjelljen e të dhënave pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Ndërsa procedurat për njëvlershmërinë e dokumenteve të paraqitura nga shtetasit shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë përfunduar nivelin e arsimit të mesëm të lartë jashtë vendit dhe përllogaritja e notës mesatare për këta kandidatë të kryhen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, me përjashtim të rasteve kur nuk aplikohen provime mature, maturë shtetërore apo provime lirimi. Theksohet se në këto raste me vendim të komisionit përkatës përcaktohet mënyra e përllogaritjes së notës mesatare.