Anëtarët socialistë pritet të dorëzojnë të martën në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Tiranë kërkesën për shkarkimin e Erion Veliajt. Në kërkesën e tyre, ata përdorin si argument faktin se Veliaj nuk është paraqitur në detyrë për një periudhë më shumë se 3-mujore.

Por, në fakt, në fillim të muajit maj, këshilltarët e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak Tiranë kërkuan shkarkimin e kryebashkiakut, duke përdorur ligjin ‘Për vetëqeverisjen vendore’ e pikërisht mungesën 3-mujore të Veliajt.

PD kërkoi mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës më 12 maj, që sipas tyre ishte dita e parë e punës pas kalimit të afatit 3 mujor të mosparaqitjes së pandërprerë në detyrë të Erion Veliaj. Por, kërkesa e tyre u rrëzua.

Erion Veliaj qëndron në qeli që prej 10 shkurtit, kur u arrestua. Tashmë, është vendosur e marta e 23 shtatorit për të futur në rend të ditës te mbledhjes së Këshillit votimin e propozimit për ta shkarkuar. Ndërkohë, nuk është diskutuar thirrja e Veliajt për të folur në Këshill përpara votimit./ Top Channel