Zjarri përpin parkun e Bozdovecit, digjen 70 ha pyje bredhi
Dhjetëra hektarë me pyje janë tashmë të dëmtuara në zonën e Korçës, ku duket se ndërhyrjet në mjete nuk kanë dhënë rezultat. Vatrat e zjarrit, që janë shfaqur dhe mbeten aktive në Parkun Kombëtar të Bozdovecit apo edhe në pyllin pranë fshatit Voskopojë, kanë qenë më të rrezikshmet dhe më me pasoja në 48 orët e fundit. Sipas të dhënave që ofron Prefektura e Korçës, më shumë se 70 hektarë me pyje bredhi dhe pemë të tjera shumëvjeçare janë përfshirë nga flakët dhe konsiderohen si të dëmtuara në Parkun Kombëtar të Bozdovecit. Ndërsa në pyllin me pisha, pranë fshatit Voskopojë, si pasojë e flakëve janë dëmtuar më shumë se 20 hektarë me pyje, ndonëse zjarri tashmë është lokalizuar dhe nuk përbën rrezik. Një gjendje alarmante raportohet nga ana e Prefekturës Korçë për zjarret që kanë një shtrirje të gjerë në Parkun Kombëtar të Bozdovecit, ku këto zjarre vazhdojnë të jenë aktive, dhe pavarësisht nga ndërhyrjet nga ajri me hedhjen e ujit me helikopter nuk është arritur që gjendja të normalizohet. Burime nga Prefektura e Korçës bënë të ditur se ka mbetur vetëm ndërhyrja nga ajri si një mundësi për të shuar dhe vënë nën kontroll vatrat e zjarreve në zonat turistike të rajonit Juglindor, pasi ka qenë pa dobi puna e zjarrfikëseve.
Policia Rajonale e Korçës, në njoftimin e saj për shtyp, ka bërë të ditur arrestimin e dy vëllezërve nga fshati Voskopojë, që dyshohen për zjarrvënie të qëllimshme, duke synuar hapjen e kullotave të reja. Sipas policisë, janë arrestuar Vasillaq Nani, 23 vjeç dhe Gjergji Nani me akuzën e shkatërrimit të pronës me zjarr në bashkëpunim. Ndërkaq, Policia Rajonale e Korçës ka dërguar për ndjekje penale edhe dy minorenë të moshës nga 16 vjeç, banues në fshatin Belorta, të cilët dyshohet se kur kanë qenë duke pushuar në pyllin mbi fshatin e tyre kanë ndezur një zjarr që ka përparuar në masivin pyjor të zonës. Kjo periudhë vere regjistron rastet më të shumta të rënies së zjarreve në 5 vitet e fundit në Rajonin e Korçës, ku pavarësisht dëmeve dhe hetimit të këtyre rasteve që konsiderohen si të qëllimshme, për shkak të interesave për lëndë dru zjarri apo edhe të konflikteve jo të pakta të pronësisë që kanë lindur mbi privatizimin e pyjeve. Gëzim Ashimi