Seanca plenare e kësaj të enjteje ka nisur mes tensioneve politike, teksa deputetët e opozitës kanë zgjedhur të shprehin qëndrimet e tyre përmes pankartave të shpalosura në sallën e Kuvendit.
Në momentin kur kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, prezantonte rendin e ditës, disa deputetë opozitarë ngritën pankarta me mesazhe kritike ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë. Në to shkruhej: “CNN these people are no fake news!”, “O jari kur do e japësh dorëheqjen?” dhe “Armiku i Shqipërisë është Edi Rama”.
Aksioni simbolik vjen në një kohë kur protestat qytetare kundër qeverisë vijojnë prej më shumë se 10 ditësh. Protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe largimin e klasës politike që, sipas tyre, ka dominuar jetën politike shqiptare prej dekadash.
Një nga thirrjet më të përsëritura në protestat e fundit ka qenë slogani: “Rama në burg, Berisha në burg”, duke shprehur pakënaqësinë jo vetëm ndaj mazhorancës, por edhe ndaj figurave kryesore të politikës shqiptare.
