Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Korçë ditën e djeshme, pasi nënë e bijë u gjetën të vdekura në banesën e tyre.
Mjekësia ligjore e këtij qyteti ka deklaruar se gjatë kqyrjes së hollësishme që iu bë dy trupave të pajetë të 75-vjeçare Eleni Vangjeli dhe vajzës së saj Ornela Vangjeli 54 vjeç, nuk u konstatua asgjë e dukshme jashtë, si shkak për të përcaktuar vdekjen e tyre.
Paraprakisht dyshohet se shkaqet e vdekjes janë ato që u përcaktuan që mbrëmjen e së enjtes, për shkaqe natyrale. Mjeku ligjor ka dhënë lejen për varrosjen e tyre, ndërsa kampionë të analizave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë. Më herët u bë me dije se fillimisht ka ndërruar jetë Ornela Vangjeli si pasojë e një ataku kardiak, ndërsa më pas nëna e saj, për shkak se nuk mund të lëvizte nga vendi dhe nuk kishte ilaçe në banesë.
Është dashur ndërhyrja e zjarrfikëses për të hapur derën e banesës pasi ishte e kyçur nga brenda. Dyshohet se nënë e bijë kishin 5 ditë që kishin ndërruar jetë, ndërsa dje janë gjetur trupat nga djali i të ndjerës. Ai kishte ngritur alarmin, pasi që prej të shtunës nuk kishte kontakt me to. Pasi ka ardhur nga Greqia në Shqipëri, ai e gjeti derën e shtëpisë të mbyllur dhe lajmëroi zjarrfikësen, që bëri të mundur hapjen e saj, dhe gjetjen e viktimave.

