Edhe Shqipëria sikurse disa vende në Evropë që kanë rritur alertin ndaj pandemisë së covid, vendosi që të enjten e javës që vjen të vendosë mbajtjen me detyrim të maskës edhe  në ambientet e hapura.


Por a do e frenojë kjo rritjen e rasteve të reja me koronavirus? Ekspertët e shëndetit publik ndajnë të njëjtin mendim. Profesor Doktor Tritan Shehu, ish deputet i PD  thotë se mbajtja e maskës jashtë, kur janë hapur tashmë ambientet e mbyllura të bareve e restoranteve, është vendim qesharak nga ana e qeverisë.


“Kryeministri sot nuk foli për testimin, por duhet të dimë se sot ne kryejme ende 30 % të numrit të testimeve që duhen kryer sipas rekomandimeve të OBSH. Ne jemi sot në të njëjtin nivel me Afrikën kur Italia fqinje kryen 130 mijë teste falas për covid.


OBSh insiston në test, test, test, identifiko, izolo, mjeko. Rama duhet të kuptojë se “maska” është një instrument i rëndësishëm, por jo gjithçka”, tha Shehu.


Sa i takon sanksioneve për gjobë që paralajmëroi kryeministri Rama, për profesor Tritan Shehu është masë absurde. 


“Ky nuk mund të jetë një vendim terrorizuesh me gjoba, por duhet paraprirë a shoqëruar nga të tjera masa”, tha për “Shqip”, profesor Tritan Shehu.
Sipas tjj,  duhet të percaktohen tipat e maskave edhe peër grup mosha. “Përcaktimi ministrial “maska jo medikale” nuk do të thotë asgjë, përvec propagandë, formalizëm dhe mosmarrje të masave reale”, tha Shehu.
Nga ana tjetër, kërkohet furnizim maksimal në tregun farmaceutik me maska si dhe ofrimi i tyre falas për disa kategori qytetarësh.