Qeveria Laburiste e Keir Starmer e vënë nën presion prej opozitës konservatore dhe Nigel Farage, udhëheqës i partisë “Reform UK”, po ndërmerr ndryshime drastike në ligjin e emigracionit me pasoja të drejtpërdrejta tek shqiptarët.

Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu thotë se sekretarja e punëve të brendshme Shabana Mahmood, prezanton të hënën ndryshime në ligjin e emigracionit duke nisur nga heqja e nënshtetësisë britanike e deri tek ndalimi shqiptarëve të larguar vullnetarisht apo dëbuar nga Britania e Madhe për tu rikthyer me viza të rregullta.

Nëse në të shkuarën nuk hiqej nënshtetësia e britanike e fituar përmes mashtrimit për ata që kishin fituar lejen e qëndrimit me amnisti, ky rregull shfuqizohet. Ndryshimi i ri ligjor parashikon se mund të hiqet shtetësia britanike edhe për ata që e morën nëpërmjet amnistisë gjatë periudhës, 2003–2006, nëse ka pasur mashtrim me identitet. Personat që marrin njoftimin për nisjen e heqjes së nënshtetësisë nga momenti marrjes së njoftimit kanë 14 ditë kohë për të apeluar.

Një tjerë masë shpresuese parashikon se duke nisur prej 11 Nëntor 2025, ata që kanë hyrë ilegalisht ose kanë thyer vizën do të marrin refuzim automatik dhe ndalim hyrjeje për 1–10 vite, edhe nëse largohen vullnetarisht. Shqiptarët të cilët kanë hyrë ilegalisht në Angli dhe nuk kanë patur leje qëndrimi nëse vendosin të largohen vullnetarisht duke prerë vetë biletën e avionit, do tu ndalohet hyrja për 12 muaj nëse aplikojnë për vizë.

Në rastet kur shqiptarët dëbohen përmes fluturimeve të përjavshme me avionë drejt Tiranës, të paguar nga shteti britanik, ndalimi për të hyrë me vizë është dy vjet. Një tjetër masë shtrënguese është për ata të cilët kapen duke hyrë në Angli me pasaporta të falsifikuara, të cilëve ndalohet hyrja për 10 vite.

Kjo klimë e ashpër me masa gati represive si pasojë e retorikës politike të opozitës, me qasje kundra emigrantëve, ka nisur të prodhojë edhe efekte të tjera tek vendimet gjyqësore.

Siç edhe raporton “Daily Telegraph”, një gjykatës në gjykatën e ekstradimeve i tha një të reje shqiptare të merrte fëmijën e porsalindur me vetë në Shqipëri e të vuante katër muaj burg në burgun e grave në Pojskë. Bëhet fjalë për Lirije Delishin e cila është dënuar në mungesë nga Gjykata e Tiranës me 4 muaj burg. Në vitin 2019 ajo udhëtonte nga Rinasi drejt Romës. Në vijën e dytë të kontrollit iu gjet në çantë edhe një pasaportë rumune e falsifikuar me foton e saj.

Gjykatësi John Zani i dha dritë jeshile kërkesës së Shqipërisë për ekstradimin e 25-vjeçares duke thënë në vendim se “Britania e Madhe nuk mund të shihet si një shtet parajsë për tu fshehur dhe bllokuar ekstradimin përmes Konventës Europiane të të drejtave të njeriut”.

Në kontrast të thellë me rastin e Lirie Delishit e dënuar me vetëm katër muaj burg, Gjykata e Lartë në Londër nuk lejoi ekstradimin e Ilirian Zeqajt i dënuar në mungesë për dy vrasje. Sikurse mëson Top Channel, prokuroria e Fierit u tërhoq nga ekstradimi prej Anglisë në Shqipëri të Gëzim Trokës, i të dënuarit në mungesë me 6 vite burg për shfrytëzim prostitucioni./ Top Channel