Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar pas lajmit tronditës nga Portugalia, ku një aksident me tramvaj në Lisbonë ka shkaktuar 17 viktima dhe dhjetëra të plagosur.

Në një mesazh ngushëllimi, Presidenti Begaj shprehu dhimbjen dhe solidaritetin e tij me familjet e viktimave, popullin dhe autoritetet portugeze në këtë moment të vështirë.

I trishtuar nga incidenti tragjik në Elevador da Glória në Lisbonë. Ngushëllimet e mia më të thella për familjet që kanë pësuar një humbje të tillë. Mendimet e mia janë me të lënduarit, të cilëve u uroj një shërim të shpejtë dhe të plotë”, shkroi Presidenti Begaj në profilin e tij në platformën X.

“Elevador da Glória” doli nga shinat e u përplas, duke i marrë jetën 17 personave. 20 të tjerë mbetën të plagosur; të paktën 5 prej tyre janë në gjendje kritike për jetën.

Policia po bashkëpunon me kompaninë që menaxhon tramvajin për të përcaktuar saktë kush ishte në bord, dhe çfarë e shkaktoi përplasjen. Në mediat lokale, fokusi është vendosur tek te kablloja që mundëson funksionimin e sistemit të kundërpeshës, dhe që e lejon tramvajin të udhëtojë lart e poshtë kodrës shumë të pjerrët në qendër të Lisbonës. Ky sistem është përdorur që nga viti 1914. Fillimisht funksiononte me bazë ujin, pastaj avullin dhe tani është elektrik.

Përveç kabllos megjithatë, shtrohet dhe pyetja sesi arriti mjeti të dilte nga shinat dhe përse sistemi i frenimit nuk ka qenë i mjaftueshëm për të bllokuar zbritjen me shpejtësi në këtë shpat shumë të pjerrët. Këtë gjë e vunë re dhe dëshmitarët në vendngjarje.