Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar shkarkimin e Vlora Hysenit si drejtuese e Shërbimit Informativ të Shtetit.
Në njoftimin e Presidencës thuhet: “Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës, si dhe të nenit 5, paragrafi 2 të ligjit nr. 8391, datë 28.10.1998, “Për Shërbimin Informativ të Shtetit”, i ndryshuar””, me propozim të Kryeministrit, dekretoi sot shkarkimin e zonjës Vlora Hyseni nga detyra e Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit”.
Kujtojmë që sot kryeministri Edi Rama shkarkoi nga detyra Vlora Hysenin, pas veprimeve dhe akuzave të drejtësisë për nxjerrje të sekreteve shtetërore. Sot në mbrëmje Vlora Hyseni u vetdorëzua në Policinë e Kosovës, për t’u shoqëruar mandej drejt territorit të Shqipërisë.
SPAK ka nisur hetimet ndaj Hysenit, e cila teksa qëndronte në kupolën e shërbimit inteligjent dyshohet ka konsumuar dy vepra penale, “përkrahje të autorit të krimit” dhe “nxjerrje të sekretit”.
