
Partia Socialiste nuk humbet kohë për të nisur procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit. Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla në një prononcim për mediat ka deklaruar se mazhoranca ka caktuar dy përfaqësuesit e saj për të nisur negociatat për presidenitn e ri të të vendit.
Mësohet se sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri, dhe ministrja Elisa Spiropali janë caktuar nga PS për të negociuar me grupet parlamentare për zgjedhjen e një kandidati konsensual. Pjesë e grupimit të konsultimit do të jetë edhe vetë kreu i grupit, Balla.
Aitheksoi për mediat se do të ketë bisedime brenda Parlamentit dhe se i është kërkuar deputetëve të PS të paraqesin kandidaturat e tyre.
“Çdo deputet i PS gjatë fundjavës duhet të jetë prezent në territor dhe për të marrë vendimet që lidhen me angazhimet që lidhen me javën pasardhëse. Në 31 mars është seanca e radhës e Kuvendit, kemi diskutuar për çështjet e rendit të ditës. Po afron dita që në konferencën e kryetareve duhet të ketë një kalendar për zgjedhjen e presidentit. Në mbledhjen e grupit kemi diskutuar se po afron dita që kuvendi duhet të ketë një kalendar që çon në zgjedhjen e presidentit të republikës. Jo më vonë se 24 maj duhet të ketë vazhduar procesi i zgjedhjes së presidentit. Kuvendi do marrë kohën e duhur për të zhvilluar këtë proces. PS ka udhëheqësinë e këtij procesi. Do zhvillojmë një proces i cili do jetë i hapur konsultimesh brenda suazës së Kuvendit.
Tashmë me mua do jetë dhe kolegia Elisa Spiropali dhe Gjiknuri si të mandatuar nga grupi parlamentar për t’u konsultuar me grupet e tjera parlamentare për të instucionalizuar një dialog konstruktiv për zgjedhjen e presidentit. Konsultimet kanë filluar brenda grupit parlamentar ku deputetëve u është kërkuar të vijnë me propozime konkrete që ne të kemi një short listë të atyre që mund të jenë kandidatura të mundshme”, tha Balla.