Francë
Mes tyre edhe taksa e transaksioneve financiare
Presidenti francez, Hollande këtë verë, që është e para e tij në Presidencë, po merret me realizimin e reformave që premtoi gjatë fushatës elektorale. Tashmë edhe pas zgjedhjeve të përgjithshme ai mund të mbështetet për miratimin e ligjeve edhe në një shumicë të qëndrueshme në Parlament. Presidenti i parë socialist në Francë që prej vitit 1995, kishte premtuar në fushatën elektorale se në 2013-n Franca do të përmbushë sërish rregullat e BE-së për deficitin buxhetor. Sipas këtyre rregullave, deficiti buxhetor nuk duhet të jetë më shumë se 3% e Produktit të Brendshëm Bruto. Vitin e kaluar ai ishte 5,2 %. Me paketën e reformave, qeveria e majtë franceze distancohet në mënyrë demonstrative nga politika e paraardhësve konservatorë të ish-presidentit Nikolas Sarkozi. Bashkë me rritjen e taksave janë kthyer një numër projektesh të ish-presidentit konservator. Ndër të tjera socialistët rrëzuan çlirimin nga tatimi i orëve të punës shtesë dhe të ashtuquajturën “TVSH sociale”. Kjo e fundit pritej të futej në muajin tetor për të lehtësuar sipërmarrjet nga shpenzimet sociale. Veç kësaj do të shkurtohen me 30% rrogat e Presidentit Hollande dhe Kryeministrit Jean-Marc Ayrault. Taksa mbi transaksionet financiare e vendosur që në kohën e Sarkozisë është ashpërsuar nga socialistët. Ajo do të jetë 0,2% ose dy herë më e lartë nga sa ishte parashikuar prej qeverisë së mëparshme konservatore. Kjo taksë fillon të zbatohet nga 1 gushti 2012 dhe aplikohet mbi transaksionet me letra me vlerë të sipërmarrjeve me seli në Francë. Prej saj përjashtohet tregtia me aksione e shoqërive me një vlerë burse më të ulët se 1 miliard euro. Një taksë mbareuropiane për transaksionet financiare për të gjitha transaksionet dhe produktet në tregjet financiare deri tani nuk është e mundur, për shkak të kundërshtimit të vendeve si Britania e Madhe. Të paktën nëntë shtete synojnë megjithatë vendosjen e një takse të tillë në kuadër të një “bashkëpunimi më të ngushtë”. Ndër to është krahas Francës edhe Gjermania. Partia konservatore franceze UMP i kritikoi reformat si armiqësore për sipërmarrjet dhe të dëmshme për Francën. Kështu vendi do të humbasë më shumë nga aftësia e tij konkurruese në krahasim me vende si Gjermania, u tha nga përfaqësues të partisë së madhe opozitare gjatë votimit në Parlament të buxhetit shtesë. UMP kërkon masa më të forta kursimi në vend të rritjes së barrës fiskale.