Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar pas deklaratës së shpërndarë nga Presidenca, duke publikuar disa dokumente për Klajdi Begajn, të birin e Presidentit. Në reagimin e tij, Bardhi thekson se Klajdi Begaj paguhet në Shqipëri nga kompania e sigurimeve me të cilën ka kontratë Presidenca, pavarësisht se jeton dhe punon si mjek në Gjermani.

Demokrati gjithashtu thekson se pagesa është 30 mijë euro në vit dhe shton se ky është vetëm një nga rastet skandaloze për të cilat kemi kërkuar shkarkimin e Presidentit Bajram Begaj. Në fund, Bardhi thekson se Kuvendi nuk mund të mbyllë sytë përpara korrupsionit, që nis nga maja e shteti. 

Postim i plotë:

Si gjithmonë, Bajram Begaj foli, por nuk tha asgjë!
Çfarë e pengoi “Doktorin e Mrekullive”, njëherazi Presidenti, të pohojë se djali i tij paguhet pa qenë fare në Shqipëri nga kompania me të cilën Presidenca ka kontratë për të gjitha prokurimet e institucionit? Sado që të shmanget e të përdridhet Presidenti i çnderuar, përgjigja është vetëm një: Korrupsioni dhe përfitimi i paligjshëm i Presidentit!
Fotot më poshtë janë marrë nga dokumente zyrtare të deklarimit të pasurive dhe nga Thesari i Shtetit. Një shpjegim i shkurtër i tyre: I biri i Presidentit jeton në Gjermani, ku paguhet nga një spital si mjek. Por, 6 muaj pas emërimit të babait president, paguhet edhe në Shqipëri nga kompania e sigurimeve, me të cilën ka kontratë prokurimi presidenca. Pagesa është 30 mijë euro në vit.
Ky është vetëm një nga rastet skandaloze për të cilat kemi kërkuar shkarkimin e Presidentit të çnderuar Bajram Begaj. Ka edhe të tjera. Prandaj, Kuvendi nuk mund të mbyllë sytë përpara korrupsionit, që nis nga maja e shtetit.