Ilir Meta, e gjeti veten në pranga, pas disa vitesh nën hetim për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Akuza të cilat kanë shoqëruar të gjithë rrugëtimin e tij politik. Këtë herë është ndryshe! Nuk janë dyshime të hedhura në formë akuzash politike, por dosje e mirëfilltë penale e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Meta, u ndoq nga forcat operacionale për disa kilometra, për tu ndalur në mes të rrugës shumë pranë kthesës së Kamzës. Një arrestim që për nga mënyra e ekzekutimit, ngjante me aksionet për prangosjen e personave me rrezikshmëri.
“Mënyra se si u ndalua një ish-kryeministër i vendit, një ish-president dhe një ish-kryetar Parlamenti, ish-ministër i jashtëm, apo një figurë publike si Ilir Meta është një mënyrë e paligjshme, por dhe e padinjitetshme”,- u shpreh avokati, Artan Manushaqe.
“Të vendosur nën presionin e dekonspirimit të operacioneve ata kanë vlerësuar që këtë ndërhyrje ta realizojnë duke zgjedhur një nga teknikat e tyre se si ndalohen subjektetet, në këtë rast subjekti ishte Ilir Meta, duke përfituar nga trafiku, duke përdorur një automjet civil për ndërprerjen e qarkullimit dhe duke nxjerrë prej andej nga mjetet e policisë me targa, por jo targa policie, por sidomos ata ishin të veshur me jelekë që ishin të identifikuar si pjesë e poloicisë së shtetit”,– u shpreh Anila Hoxha, gazetare.
Ndoshta, ky lloj aksioni mbarte mesazh dhe ish presidenti bëri rezistencë, duke pretenduar se efektivët me maska mund të ishin grabitës apo vrasës.
“Punonjësit e Policisë duhet të kishin badge, apo mjete identifikimi, qoftë te makina, qoftë te veshjet e tyre për të mos krijuar dhe konflikt sepse ka ndodhur që ka patur dhe grabitje me maskë, apo situata të tjera”,- u shpreh avokati, Artan Manushaqe.
“Forcat operacionale nuk veprojnë dhe nuk arrestojnë me agjentë të cilët identifikohet sepse ky është protokolli. Nuk kishte rrezikshmëri për t’u larguar nga vendi, apo të shfaqte elementë të tjerë të rrezikshmërisë shoqërore për të cilën policia e shtetit duhet të sillej në atë formë. Fat i madh që nuk ka qenë shoqëruesi i Gardës, pasi mund të krijohej një përplasje me armë”,– u shpreh gazetarja, Anila Hoxha.





