KLGJ i është përgjigjur Ministrisë së Financave, pas deklaratave se pagat e magjistratëve dhe personelit të sistemit të drejtësisë nuk janë bllokuar, por se Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kanë paraqitur listëpagesat e muajit gusht mbi një metodologji të ndryshme nga ajo që është aktualisht në fuqi.

Në një përgjigje zyrtare ndaj Ministrisë së Financave, të cilën e disponon gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, pas komunikimit lidhur me situatën e ekzekutimit të shpenzimeve buxhetore, KLGJ argumenton se listëpagesat e muajit gusht 2026 janë hartuar dhe dorëzuar pranë degëve përkatëse të Thesarit në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe në zbatim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Sipas KLGJ-së, pagat e administratës gjyqësore dhe të personelit mbështetës nuk preken nga Vendimi nr. 15/2026 i Gjykatës Kushtetuese dhe as nga Vendimi nr. 435, datë 26.08.2026 “Për miratimin e pagës referuese bazë për Magjistratin (Gjyqtar)”.

“Për sa më sipër, Këshilli i Lartë Gjyqësor i kërkon Ministrisë së Financave ekzekutimin e menjëhershëm të pagesave të pagave për muajin gusht 2026, për të gjithë nëpunësit dhe punonjësit e administratës së Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të nëpunësve të administratës gjyqësore, dhe të personelit tjetër mbështetës të gjykatave të të tre niveleve”, thuhet në shkresën e KLGJ-së.

KLGJ sqaron se listë-pagesat mujore dhe urdhër-shpenzimet përkatëse përgatiten sipas strukturave organizative të miratuara të njësisë shpenzuese, bazuar në listë-prezencën mujore të hartuar nga strukturat përgjegjëse për burimet njerëzore. Sipas Këshillit, në çdo rast listë-pagesat dhe urdhër-shpenzimet ndahen vetëm sipas bankave ku magjistrati apo punonjësi ka numrin e llogarisë dhe nuk përbëjnë dokumente që mund të pengojnë pagesën e administratës për shkak të verifikimeve që lidhen me pagat e magjistratëve.

KLGJ kundërshton argumentin se përfshirja në të njëjtin dokument e pagave të magjistratëve dhe të administratës ka sjellë vonesa në përpunim, duke theksuar se procedurat janë ndjekur sipas rregullave në fuqi.

“Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk ka krijuar një politikë të re page dhe nuk ka zëvendësuar Kuvendin në ushtrimin e kompetencës ligjvënëse, por u miratuan sipas kushteve”, thuhet në shkresën zyrtare. (Përgjigja e Plotë)