Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, prezantoi sot kryetarin e ri të Degës Doganore Fier, Eridjol Xhafa.
Gjatë takimit, Beja falënderoi kryetarin e mëparshëm, Kosta Vjero, për punën e tij, dhe nënvizoi rëndësinë e profesionalizmit, integritetit dhe bashkëpunimit të stafit në funksion të mbledhjes së të ardhurave dhe zbatimit të ligjit doganor.
“Çdo strukturë doganore duhet të reflektojë standarde të qarta ligjshmërie, transparence dhe përgjegjshmërie. Vetëm përmes një pune të koordinuar dhe të bazuar në meritë mund të rrisim besimin e biznesit dhe qytetarëve ndaj administratës sonë”, u shpreh Beja.
Kryetari i ri do të marrë detyrën në një moment që kërkon vijimësi, përmirësim të proceseve dhe forcim të kontrollit.
