Top Channel ka siguruar udhëzimin për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetët te Partisë Demokratike.
Gara e primareve do të zhvillohet me 1 mars, ndërsa Sali Berisha ka vendosur të mbroje drejtuesit politikë duke i lënë jashtë garës. Si mekanizëm shpëtimi, është gjetur një klauzolë që i ngarkon me drejtimin e procesit zgjedhor në çdo qark. Udhëzimi parashikon që kandidatët për primare vetëpropozohen ose propozohen nga anëtarësia, ose nga organet qëndrore të Partisë Demokratike.
Pasi demokratët të votojnë për kandidatët që duan të çojnë në Parlamentin e ardhshëm, të kualifikuar do të jenë vetëm ata që plotësojnë kuotën minimale, e cila do të llogaritet në varësi të numrit të anëtarëve që ka secili qark. Më pas, kandidatët e kualifikuar do të renditen nga kryesia, për listën përfundimtare të kandidatëve për deputetë.
Udhëzimi parashikon që në renditje do të ndikojë edhe kontributi politik, angazhimi në kauzat e opozitës, si dhe regjistrimi i diasporës për të cilët Berisha ka caktuar një kuotë, 300 emigrantë të regjistruar për çdo kandidat. Udhëzimi pritet të hidhet në votë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar.