Gjykata rajonale e Hamburgut ka dënuar me 13 vjet burg kosovarin Princ Dobroshi, i njohur si një nga figurat më të famëkeqe të trafikut të drogës në Evropë. Vendimi u dha këtë të mërkurë, sipas tabloides gjermane BILD.
Hetimet provuan se Dobroshi ishte organizatori kryesor i një operacioni gjigant trafiku, që solli në Evropë rreth 10 tonë kokainë nga Amerika Jugore dhe Qendrore përmes portit të Hamburgut në vitin 2020. Ngarkesat mbërrinin të fshehura në kontejnerë me banane, oriz, qymyr apo xhelatinë. Pasi hapeshin në port, droga nxirrej dhe kontejnerët vuloseshin sërish me vula të falsifikuara, me ndihmën e punonjësve të portit. Rrjeti i tij mbulonte të gjithë zinxhirin logjistik deri te shpërndarja e mëtejshme e lëndës narkotike.
Dobroshi, i quajtur prej kohësh “Peshkaqeni”, është një emër i njohur i krimit të organizuar. Ai nisi aktivitetin në vitet ’90, u arrestua në Norvegji në 1993, u arratis nga burgu në 1997 dhe u kap sërish në Pragë në 1999, për t’u liruar në vitin 2005. Hetimi i fundit, i bazuar te deshifrimi i aplikacionit të koduar EncroChat, çoi në arrestimin e tij në Shqipëri në fund të vitit 2023 dhe ekstradimin në Gjermani në 2024.
Në fillim ai zgjodhi të heshtte, por më pas pranoi akuzat, duke ulur kohëzgjatjen e procesit gjyqësor. “Gjyqi ishte parashikuar të zgjaste deri më 1 prill 2026, por rrëfimi i tij kurseu 42 ditë seancash,” tha për BILD zëdhënësja e gjykatës, Dr. Marayke Frantzen. Megjithatë, shkalla e trafikut dhe roli i tij udhëheqës në rrjet çuan në një dënim të rëndë.
Përveç burgimit, shteti gjerman kërkon edhe konfiskimin e 8.2 milionë eurove përfitime nga trafiku. Vetëm në vitin 2020, autoritetet sekuestruan 2.5 milionë euro në para të gatshme. Prokuroria po punon për rikuperimin e shumës së mbetur.
Ndërkohë, edhe në Shqipëri, Dobroshi dhe kunati i tij, Olsi Syziu, kanë qenë subjekt i hetimeve pasurore nga SPAK. Më 29 mars 2024, SPAK sekuestroi 10 llogari bankare me 133 mijë euro, një vilë në Gjirin e Lalzit, dy apartamente në Kodrën e Diellit, një apartament te Liqeni i Thatë, një makinë Volvo dhe shoqërinë tregtare SLAI.