Letërsia, prindërit peticion në MASH për rezultatet e mbi 6 mijë maturantëve 


Shpresa Mezini


Komisioni i ngritur në MASH për rikorrigjimin e fletëve që dyshohen si të parregullta vazhdon të mbajë peng tezat e mbi 6 mijë maturantëve. Zyrtarisht mësohet se pjesë e këtij grupi janë 3 ekspertë të fushës së letërsisë, të cilët kanë nisur vlerësimin e dytë të tezave më datë 20, tri ditë pas publikimit të rezultateve. Edhe pse kanë kaluar 9 ditë që nga ajo datë, nuk dihet ende se ç’po ndodh me dosjen që është përfshirë në një proces të dytë vlerësimi. Ministria e Arsimit nuk ka dhënë ende një shpjegim zyrtar për këtë çështje. Të vënë përballë kësaj situate ankthi, të rinjtë dhe prindërit e tyre janë tejet të shqetësuar për faktin që nuk dinë se ç’do të ndodhë me fatin e fëmijëve të tyre. “Jam e mërzitur, e shqetësuar, në ankth të jashtëzakonshëm. Po më çmendet vajza. Ajo është nxënëse e shkëlqyer. E ka përfunduar shkollën e mesme me mesatare 9.8. Si është e mundur që emri i saj të jetë në listën e kopjacëve? Pse nuk na japin një përgjigje? Stresi i kësaj pritjeje të gjatë ka ndikuar negativisht te vajza ime, e cila është aq e çorientuar saqë mezi mëson për provimet e tjera të maturës”, tha Mira Leka, mamaja e një prej maturanteve të këtij viti. Ajo thotë se të njëjtin shqetësim me të kanë edhe shumë prindër të tjerë. Sipas saj, rreth 6 apo 7 nxënës të shkëlqyer në një prej shkollave të mesme private të Tiranës nuk e kanë marrë ende notën, ndërsa kanë mësuar se shkak për këtë është se tezat e tyre i janë bashkangjitur dosjes së dyshuar për kopje. “Kjo është e pamundur. Si mund të kopjojnë maturantët që gjatë 4 viteve kanë marrë vetëm 9-a dhe 10-a, ndërsa në provimet e maturës rezultojnë kopjacë?”, tha zonja Leka, e shqetësuar për vajzën e saj. Prindërit që shfaqin të njëjtin problem kërkojnë me patjetër një përgjigje nga Ministria e Arsimit për mbarëvajtjen e kësaj çështjeje. Madje ata bëjnë me dije për gazetën “Shqip” se ditën e hënë do të dërgojnë në MASH një peticion në emër të të gjithë maturantëve, të cilët presin notën e provimit të letërsisë, por që nuk e kanë marrë atë, ndonëse pas 13 ditësh nga shpallja zyrtare e listës së rezultateve.


Rivlerësimi


Vendimi për korrigjim të dyfishtë, sipas specialistëve të Ministrisë së Arsimit, erdhi si rrjedhojë e parregullsive që vërehen në mbi 100 teza. Zyrtarisht u premtua se përgjigjja përfundimtare, që do të përcaktojë fatin e këtyre maturantëve, do të bëhej publike ditën e martë, më datë 26 qershor, por kjo nuk ndodhi. E ndërsa pritet përgjigjja zyrtare, burime të sigurta bëjnë me dije për gazetën “Shqip” se deri më tani, duke iu referuar të dhënave paraprake rezulton se numri i kopjacëve të jetë mbi 35. Ata sqarojnë se ka dallim të madh mes tezave, ku evidentohen se janë të kopjuara dhe atyre ku gjen shënime, si përcaktimi i emrit të maturantit, element i ndaluar rreptësisht në rregullore. Ndonëse jo zyrtarisht, mësohet se numri i tezave, përgjigjet e të cilave janë të ngjashme në mënyrë identike është më i vogël në raport me numrin e fletëve ku vërehen shënime komprometuese. E megjithatë, numri i nxënësve të cilët nuk janë njohur ende me rezultatet e provimit të letërsisë vazhdon të jetë i lartë, mbi 6 mijë.