Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me vetëvrasjen e Refit Buzit, pasi u mori jetën prindërve të ish-partneres Rozalinda Plaka dhe mbajti peng për disa orë këtë të fundit.

Prokurori Kristi Jorgji, i cili mori pjesë personalisht në negociatat me Buzin për ta bindur të dorëzohej, është njëkohësisht prokurori që hetonte edhe çështjen e mashtrimit ndaj tij. Sipas burimeve, Buzi ushtronte aktivitet në tregtinë e perimeve, duke u premtuar fermerëve eksportimin e produkteve në tregjet europiane. Disa prej tyre e kallëzuan penalisht, pasi pretendojnë se nuk morën pagesat për mallin që i kishin dorëzuar. Në momentin e ngjarjes, Buzi ndodhej në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, i akuzuar për përndjekje ndaj ish-të fejuarës së tij, Rozalina Plaka. Katër vite më parë, gjatë kohës që jetonte në Angli, 35-vjeçari kishte deklaruar se ishte marrë peng nga disa bashkatdhetarë, të cilët i kishin kërkuar një shumë të konsiderueshme parash për lirimin e tij.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se gjatë negociatave, prokurori Jorgji nuk i kishte treguar Buzit se ish-vjehrri kishte humbur jetën, por i kishte komunikuar se ai dhe bashkëshortja ndodheshin të plagosur në spital. Megjithatë, 35-vjeçari ndiqte zhvillimet përmes telefonit celular.

Siç raporton gazetari i Top Channel, Neritan Trifoni, rreth orës 15:00, Buzi ishte pranë dorëzimit, por para se të merrte vendimin u është drejtuar negociatorëve me fjalët: “Prit, të shoh lajmet”. Pasi mësoi nga mediat se ish-vjehrri kishte ndërruar jetë, ai refuzoi sërish të dorëzonte armën. Rreth një orë më vonë 35-vjeçari qëlloi veten me armë, duke i dhënë fund jetës në sy të forcave të shumta të policisë që kishin rrethuar zonën.