Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka bërë bashkë këtë të diel, të paktën për nga vendndodhja, kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Dy drejtuesit politikë janë gjendur në Rinas në të njëjtën kohë, por për arsye dhe angazhime të ndryshme.
Kryeministri Rama ndodhet në aeroport, nga ku pritet të përcjellë një mesazh drejtuar qytetarëve shqiptarë.
Ndërkohë, Berisha ka mbërritur në Rinas për t’u nisur drejt Strasburgut, ku do të marrë pjesë në aktivitetet e Këshillit të Europës.
Vizita e tij përkon me sesionin e vjeshtës të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (PACE), punimet e së cilës zhvillohen në Strasburg nga 28 shtatori deri më 2 tetor 2026.
Për pesë ditë, parlamentarë nga vendet anëtare të Këshillit të Europës do të mblidhen për të diskutuar një sërë çështjesh të aktualitetit europian.
Në fokus të sesionit pritet të jenë tema që lidhen me të drejtat e njeriut, standardet demokratike dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
