The Guardian ka publikuar një artikull të gjatë mbi historinë e Evës, vajza shqiptare e cila pas më shumë se 12 vitesh vuajtjesh në kampet e Sirisë, është rikthyer në Shqipëri.
Eva Dumani u rrëmbye në moshën 9-vjeçare së bashku me vëllain e saj nga i ati, i cili më vonë u vra duke luftuar për Shtetin Islamik. Pas shumë vitesh të kaluara në kampin famëkeq al-Hawl, ku mijëra gra dhe fëmijë nga mbi 40 vende janë mbajtur arbitrarisht, Eva arriti të shpëtonte dhe të kthehej pranë familjes së saj në Shqipëri.
Xhaxhai i saj, Xhetan Ndregjoni, i cili e priti në kufirin turko-sirian, e përshkroi ribashkimin si një moment të paharrueshëm.
“Kemi pritur këtë ditë për 12 vjet”, tha ai. “Ishte jashtëzakonisht emocionuese kur pa vëllain dhe nënën”.
Eva, tashmë 20 vjeç, ka filluar shkollën e mesme dhe po përpiqet të rikuperojë vitet e humbura të arsimit.
The Guardian thekson se rasti i Evës është një ndër të paktët shembuj të suksesshëm riatdhesimi, ndërsa dhjetëra shqiptarë të tjerë, gra dhe fëmijë, mbeten ende të bllokuar në kampet e Sirisë.
Tani shqetësimi i xhaxhait të Evës, është zhvendosur te rreth 25 shqiptarët që mbeten ende të bllokuar në veri të Sirisë.“I kërkojmë qeverisë të sjellë në shtëpi edhe fëmijët e tjerë që janë në këtë situatë, është shumë e rëndësishme që edhe ata të jenë pranë familjeve të tyre”, tha ai.
Rreth 6 mijë shtetas të huaj nga vende si Serbia, Bosnja dhe Shqipëria u ndaluan në al-Hawl pas rënies së IS në vitin 2019, shumë prej tyre gra dhe fëmijë. Shumica kanë vuajtur për vite në kushte që Human Rights Watch i përshkroi si “çnjerëzore, degraduese dhe kërcënuese për jetën”, të shënuara nga mungesa kronike e ushqimit dhe ilaçeve si dhe dhunë nga gra ende besnike ndaj IS.
Organizatat e të drejtave të njeriut paralajmërojnë se fëmijët dhe nënat e tyre janë në rrezik të menjëhershëm nga grupet ekstremiste që veprojnë në zonë.
Në artikull përmendet gjithashtu se shumë vende europiane dhe Australia po përballen me dilema të ngjashme, pasi kampet al-Hawl dhe al-Roj po shpërbëhen dhe të ndaluarit po tentojnë të largohen vetë. Ekspertët paralajmërojnë se qeveritë nuk mund të mbyllin më sytë dhe duhet të hartojnë plane të qarta për riatdhesim, rehabilitim dhe monitorim të sigurisë.
“Njerëzit do të kthehen, duan apo nuk duan shtetet, sidomos nëse kanë arritur të arratisen”, tha Devorah Margolin, studiuese e lartë në Washington Institute for Near East Policy.
Margolin tha se zbrazja e kampit tregoi se qeveritë që kishin hezituar ose refuzuar të riatdhesonin qytetarët e tyre nuk mund të mbyllin më sytë.“Njerëzit do të kthehen në Europë. Dhe është shumë më mirë të kesh një plan të qartë për t’u marrë me traumën, riintegrimin dhe sigurinë, sesa t’i lejosh të hyjnë fshehurazi dhe të mos merresh fare me ta. Kjo është një ftesë për probleme”, tha ajo.
