Kapiteneria e Sarandës ndalon të gjitha lundrimet për ditën e nesërme në portin e saj në bregdetin e jugut, për shkak të përkeqësimit të motit dhe fortunalit që pritet pas ndryshimit të temperaturave në rajonin ballkanik. Me një njoftim zyrtar të ditës së sotme, bëhet me dije se për nesër do ndalohet lundrimi i trageteve dhe anijeve turistike si dhe atyre të peshkimit.

“Për shkak të përkeqësimit të kushteve hidrometeorologjike dhe në interes të sigurisë së lundrimit, vendoset ndalimi i lundrimit për ditën e nesërme 24-07-2026 për të gjitha anijet turistike dhe anijet e peshkimit që ndodhen në zonat e Ksamilit, Sarandës dhe Borshit”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Më tej jepet këshillë për pronarët e mjeteve lundruese si dhe operatorët që ta respektojnë urdhrin deri në një njoftim të dytë nga autoritetet, për të shmangur rreziqet.

“Të gjithë pronarët, operatorët dhe kapitenët e mjeteve lundruese janë të detyruar të respektojnë këtë urdhër dhe të mos kryejnë lundrim deri në një njoftim të dytë nga autoritetet përkatëse”, sqarohet po aty.

Deti parashikohet me dallgë të forta dhe të rrezikshme për ditën e nesërme.