Xhevdet Plaku dhe gjashtë persona të tjerë, të arrestuar dy ditë më parë në një operacion policor në Gjirin e Lalzit, janë paraqitur sot para Gjykatës së Durrësit, nën masa të rrepta sigurie.

Të arrestuarit u kapën nga forcat e rendit teksa ndodheshin në një restorant luksoz, ku po konsumonin drekë. Policia ka dyshime se disa prej tyre janë të përfshirë në veprimtari kriminale dhe janë pjesë e grupeve të strukturuara.

Gazetarja e Top Channel, Vali Qyrfyçi, ka siguruar pamje ekskluzive nga momenti kur njëri prej të arrestuarve, Flobens Meçja, mbërrin në ambientet e gjykatës. Ai shihet i shoqëruar nga forcat e RENEA-s dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë.

Masa e sigurisë që pritet t’u komunikohet të ndaluarve do të vendoset nga Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës, ndërkohë që hetimet për rastin vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese.

Ndërkohë, burime nga organet e hetimit bëjnë me dije se janë sekuestruar edhe materiale të tjera me rëndësi për dosjen hetimore, ndërsa pritet zbardhja e plotë e lidhjeve të tyre dhe aktivitetit të mundshëm kriminal.