Kryeministrat Berisha dhe Thaçi në ceremoni. Teksti do të nis të përdoret që prej vjeshtës së këtij viti
Dy kryeministrat, Sali Berisha dhe Hashim Thaçim kanë promovuar në Prizren abetaren e parë gjithëkombëtare, e cila do të përdoret nga vjeshta e këtij viti në të gjitha shkollat në Shqipëri e Kosovë. Berisha e ka cilësuar abetaren gjithëkombëtare si margaritar të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe një moment domethënës për gjithë kombin, në rrethana kur Kosova është e pavarur. Ndërkaq Berisha u ka bërë thirrje të gjithë fqinjëve, të çirohen nga ajo të cilën ai e cilësoi si shqiptarofobia.
“Çlirohuni nga shqiptarofobia. Shqiptarët janë një komb, por gaboni rëndë nëse vazhdoni të shquani shqiptarët me skena si ato të Preshevës, të cilat faktojnë se shumë prej jush janë në stadet primitive. Abetarja është hapi i parë pasi tekste të tjera duhet të botohen”, ka theksuar Berisha.
Ndërsa, kryeministri kosovar Hashim Thaçi ka theksuar se kjo është një ditë historike për të gjithë kombin shqiptar.
“Sot është një arritje historike. Ne po prezantojmë abetaren e përbashkët të kombit tonë. Jo rastësisht jemi mbledhur në Prizren ku çdo shqiptar do të donte të ishte. Jemi mbledhur në qytetin historik, dhe qytetin mes kryeqyteteve, Tiranës dhe Prishtinës. Kjo abetare është shprehje e ndërgjegjes dhe emancipimit të kombit tonë. Është abetare e lirisë, është abetare e Kosovës dhe Shqipërisë europiane”,- ka theksuar më tej Thaçi.
Ceremonia është zhvilluar në qendrën Sportive “Sezai Surroi” të Prizrenit dhe në të kanë marrë pjesë autoritetet më të larta shtetërore nga Shqipëria e Kosova. Teksti fitues për Abetaren mbarëshqiptare u përzgjodh në datën 24 prill dhe mban bashkëautorësinë e Shezai Rrokajt, Mimoza Gjokutajt, si dhe Islam Krasniqit e Saranda Kumonova Pozhegut. Përzgjedhja është bërë nga komisioni vlerësues me përfaqësues të dy vendeve. 17 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)