Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, ka zhvilluar sot një konferencë për mediat ku ka folur për ecurinë e procesit të votimit të shqiptarëve që jetojnë në diasporë, duke u ndalur te problematikat e raportuara lidhur me dorëzimin e fletëve të votimit në banesat e emigrantëve.

Celibashi sqaroi se janë identifikuar disa raste kur fletët e votimit nuk janë dorëzuar sipas pritshmërive, por nënvizoi se bëhet fjalë për një numër të kufizuar rastesh. “Nuk mund të themi që është një numër i lartë, nuk shkon më shumë se 100 raste në total, nga të gjitha llojet e problematikave,” u shpreh ai.

Ai tha se KQZ është në komunikim të vazhdueshëm me kompaninë postare DHL për të adresuar këto shqetësime. “Kemi kërkuar që degët e DHL që kanë problematika, të kenë detyrim të shkojnë vetë te banesa e votuesit. Në shumicën dërrmuese e kanë bërë, por ka edhe raste kur nuk e kanë realizuar dorëzimin,” theksoi Celibashi.

Në një prej rasteve të raportuara, një votues ka pretenduar se brenda zarfit mungonte fleta e votimit. Celibashi vlerësoi se është e vështirë të gjendet një zgjidhje në raste të tilla, duke ngritur dyshime mbi përgjegjësinë reale: “Normalisht dikush mund të mendonte të dërgohej një fletë tjetër votimi, por sa të sigurt jemi që ishte gabim i postierit?”

Kreu i KQZ theksoi gjithashtu se procesi i dorëzimit po ndjek një protokoll të miratuar më herët dhe se KQZ është duke monitoruar nga afër situatën për të garantuar të drejtën e votës për shqiptarët në emigracion.