Prurjet e shumta të ujit kanë shkaktuar mesditën e sotme çarjen e argjinaturës së lumit Seman në disa segmente, në afërsi të fshatrave Ndërnënas dhe Hasturkas, në zonën e Libofshës.

Si pasojë, uji ka dalë nga shtrati duke përmbytur toka bujqësore dhe duke krijuar alarm te banorët e zonës. Ata shprehen se niveli i prurjeve është i pazakontë dhe frikësohen se rritja e mëtejshme e ujit mund të rrezikojë edhe zonat e banuara.

Në terren kanë zbritur forcat e Bordit të Kullimit, të cilat po ndërhyjnë me mjete të rënda për të disiplinuar ujërat që shkarkohen drejt kolektorit të hidrovori të Darëzezës. Qëllimi i ndërhyrjes është shmangia e përmbytjes së banesave dhe mbrojtja e paneleve fotovoltaike në zonë.

Autoritetet bëjnë me dije se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe u bëjnë thirrje banorëve të tregojnë kujdes. Ndërkohë, qindra hektarë tokë bujqësore raportohet se janë përfshirë nga uji.