Ministria e Drejtësisë kërkon fillimin e hetimeve: Kërkuan minimumin e dënimeve në 212 çështje


Prokuroria e Përgjithshme ka deklaruar se aty nuk ka shkuar asnjë raport inspektimi


Ministria e Drejtësisë kërkon fillimin e procedimit disiplinor për 12 prokurorë në Prokurorinë e Korçës, pasi ata dyshohet se kanë kryer shkelje të rënda për 212 çështje. Raporti i është dërguar dje Presidentit të Republikës, Bujar Nishani dhe Prokurorit të Përgjithshëm. Shkeljet janë konstatuar gjatë kontrollit të ushtruar nga Ministria e Drejtësisë në muajin prill të këtij viti, me objekt ecurinë e politikës penale e në veçanti e politikës së dënimit, të ndjekur nga prokurorët e Prokurorisë së Korçës përgjatë vitit 2011.


Inspektimi në Korçë


Nga inspektimi ka rezultuar se ekzistojnë shkelje procedurale në 39 raste të qëndrimit të Prokurorit në gjykim, të cilat iu atribuohen 12 prokurorëve. Nga 10 procedime penale të inspektuara për të gjykuarit, me masë sigurimi “arrest në burg”, në fazën e ekzekutimit të vendimit penal, që përfshijnë veprimtarinë e një prokurori të ngarkuar me ekzekutimin e vendimeve për periudhën objekt kontrolli 1-31 Tetor 2011, kanë rezultuar me shkelje 5 prej tyre ose 50% e rasteve të kontrolluara. Në 212 çështje, 39% të tyre, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë ka kërkuar masa dënimi në minimumin e dënimit të parashikuar në dispozitat përkatëse penale. Në 27 raste, këto minimume dënimi, janë shoqëruar edhe me kërkesën e prokurorit për aplikim të alternativave të dënimit me pezullim të ekzekutimit të dënimit me burgim sipas neneve 59 e 63 të Kodit Penal. Të gjitha këto çështje nuk janë ankimuar nga Prokurori, duke e mbyllur në shkallën e parë të gjykimit, me dënime të kërkuara në minimum dhe të ulura nën minimum për shkak të gjykimit të shkurtuar, të pranuar nga të gjitha palët. Bazuar në raport, Ministria e Drejtësisë vëren për 12 prokurorët se kanë ushtruar një politikë të butë dënimi, të orientuar drejt kufijve minimalë të dënimit, mungesë efektiviteti të përdorimit të mjetit të ankimit dhe mosrespektim të afateve ligjore në ekzekutimin e vendimeve.


Reagimi i Prokurorisë


Pas publikimit të informacionit mbi raport-inspektimin e zhvilluar në Korçë, kanë ardhur edhe reagimet nga Prokuroria e Përgjithshme. Burimet pranë këtij institucioni kanë deklaruar se Ministria e Drejtësisë vazhdon të prodhojë informacione të turpshme dhe të pabaza nëpërmjet raport-inspektimeve të saj. Sipas tyre, raporti është trillim dhe që nuk përputhet aspak me realitetin, pasi në Prokurorinë e Korçës, nuk janë hasur gabime të tilla gjatë inspektimeve të kryera nga Prokuroria e Përgjithshme. Sipas të dhënave nga organi qendror i akuzës, mësohet se në raportin e inspektimit të hartuar nga Ministria e Drejtësisë ka shpëtuar pa u kapur me shkelje vetëm drejtuesi i kësaj prokurorie, Përparim Vukaj, ndërsa të gjithë prokurorët e tjerë, që përfaqësojnë akuzën në gjykatë, kanë rezultuar me shkelje. Më tej, burimet tregojnë se raporti i ministrisë, në muajin shtator do të diskutohet në mbledhjen e Këshillit të Prokurorisë, ku pritet të dilet me një vendim, lidhur me raportin e hartuar nga Ministrisa e Drejtësisë. Më tej, burimet pranë Prokurorisë së Përgjithshme shtuan se kjo nuk është hera e parë që Ministria e Drejtësisë “fabrikon” raporte të tilla, që pas verifikimeve të kryera nga ana e Këshillit të Prokurorisë nuk kanë rezultuar të vërteta. Madje, Prokuroria e Përgjithshme ka deklaruar se nuk ka shkuar asnjë raport nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. Red. Akt.


 


 


Emrat


Ollga Visi, zv. prokuror rrethi


Elision Sadiku, zv.prokuror rrethi


Dashnor Nure, prokuror


Irena Qeleshi, prokuror


Niko Shipska, prokuror


Edmond Shytko, prokuror


Hysen Kulla, prokuror


Gentian Stoja, prokuror


Julian Kristo, prokuror


Fatos Çeta, prokuror


Dhorina Theodhori, prokuror


Olgert Eminaj, prokuror