Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar përfundimin e procedurave për bllokimin e platformës TikTok në telefonat inteligjentë. Përmes rubrikës së tij “Sy m’sy”, ai theksoi se përdorimi i VPN-ve për të anashkaluar këtë ndalim është i rrezikshëm, pasi mund të ekspozojë përdoruesit ndaj sulmeve kibernetike dhe vjedhjes së të dhënave.

Rama shtoi se ndalimi do të jetë i përkohshëm, deri në finalizimin e një programi të përbashkët me kompaninë TikTok, e cila pritet të sjellë një plan të posaçëm për adoleshentët shqiptarë.

“Mirmëngjes nga unë dhe bufi im i bukur. Së pari një lajmërim a informacion si të doni. Procedura për mbylljen e Tiktok ka përfunduar për telefonat smart dhe nga ana tjetër, mënyra për t’ju shmangur bllokimit duke përdorur VPN falas është shumë e rrezikshme pasi dihet botërisht se hackerat bëjnë namin në grabitjen e të dhënave të telefonit. Kijeni parasysh këtë gjë dhe duroni pa TikTok për ca kohë deri kur të përfundojmë programin e përbashkët me kompaninë, e cila do të vijë së shpejti në Shqipëri dhe do të paraqesë planin për adoleshentët.”, tha Rama.