Udhëzimi


Transferimi bëhet vetëm për nxënësit e shkollave profesionale me kohë të plotë, me kërkesë të prindit


Ilda Hoxha


Qemal_StafaNë një udhëzim të përbashkët të Ministrisë së Arsimit dhe asaj të mirëqenies sociale përcaktohen kriteret për të gjithë nxënësit që duan të transferohen nga shkollat profesionale drejt gjimnazeve. Sipas udhëzimit, të drejtën për t’u transferuar nga një shkollë profesionale drejt gjimnazeve e kanë vetëm nxënësit që kanë përfunduar klasën e 10-të në shkollat profesionale me kohë të plotë. Procedurat për transferim nisin në përfundim të vitit shkollor dhe vijojnë deri para nisjes së procesit mësimor. Të drejtën për të bërë kërkesë për transferimin e nxënësve e kanë vetëm prindërit dhe kujdestarët ligjorë, pra nuk pranohet kërkesa nëse bëhet nga vetë nxënësi. Një nxënës për t’u pranuar duhet të plotësojë një sërë kushtesh të përcaktuara në udhëzim. Fillimisht për t’u bërë pjesë e gjimnazit, nxënësi duhet të testohet për disa lëndë që nuk i ka bërë në arsimin profesional dhe që përfshihen në planin mësimor të gjimnazit. Këto lëndë për të cilat duhet të testohet nxënësi përcaktohen nga drejtori i shkollës. “Për të realizuar transferimin, nxënësit duhet të plotësojnë lёndёt e detyruara në planin mësimor të gjimnazit duke dhënë provime të veçanta për lëndët e munguara dhe një provim të integruar për pjesët apo orët e munguara të lëndëve të përbashkëta. Vendimi për numrin e lëndëve të munguara dhe provimin e integruar merret nga drejtoria e shkollës dhe ruhet e trajtohet si pjesë e dokumentacionit shkollor. Transferimi i nxënësit nga një shkollë e mesme profesionale në gjimnaz, bëhet me kërkesë të prindërve ose kujdestarit ligjor të nxënësit”, përcaktohet në udhëzim. Më pas, procedura e realizuar në shkollë për transferimin e nxënësit nga arsimi profesional në gjimnaz, duhet të paraqitet për miratim në njësinë arsimore vendore përkatëse. Ndërsa janë drejtoritë e shkollës pritëse dhe shkollës nga transferohet nxënësi, të cilat pasqyrojnë shënimet përkatëse në amzë. Nxënësit që kërkojnë të transferojnë studimet nga arsimi profesional në gjimnaz, duhet të plotësojnë kriterin e moshës të përcaktuar në ligjin “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”. Në lidhje me nxënësit shqiptarë apo të huaj që dëshirojnë të transferohen nё shkollat profesionale nga jashtë shtetit në Shqipëri, duhet tё japin provime pёr lёndёt apo praktikat profesionale tё munguara. “Nxënësit shqiptarë ose të huaj, të cilët transferojnë studimet nga shkollat profesionale jashtë shtetit në Shqipëri, për vitet e ndërmjetme, bëjnë njehsimin e studimeve të kryera. Procedura e njëvlershmërisë së studimeve në këtë rast bëhet në Agjencinë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve, në bazë të dokumentacionit origjinal të përkthyer dhe noterizuar’, thuhet në udhëzimin e përbashkët të MAS dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale. Për sa u përket nxënësve shqiptarë apo të huaj që kanë ndjekur gjimnazin e përgjithshëm jashtë vendit, por duan të transferohen në një prej shkollave profesionale në Shqipëri, nuk do të lejohen. Pas transferimit, dokumentacioni dhe vendimet e marra për procesin e transferimit ruhen në sekretarinë e shkollës dhe është objekt i inspektimit të Inspektoratit Shtetëror të Arsimit. Ngarkohen për zbatimin e këtij udhëzimi, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve, Drejtoria e Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe drejtoritë arsimore rajonale e zyrat arsimore.