Në Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar zhvillohet këtë të hënë seanca e radhës në gjyqin ndaj Ilir Metës, i cili përballet me akuza për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Ish-presidenti u paraqit për herë të parë publikisht në seancën e kaluar që pas arrestimit të tij në tetor të vitit 2024, duke u shfaqur pas kafazit të xhamtë në sallën e gjyqit. Gjatë fjalës së tij, Meta hodhi akuza të forta ndaj sistemit të drejtësisë, duke e cilësuar procesin si të padrejtë dhe politik.

“Nuk jam unë në pozita të pabarabarta, por ata. Me shpifje dhe kallëzues të rremë po zhvillohet një proces i turpshëm kundër shtetit shqiptar”, deklaroi Meta para trupës gjykuese dhe mediave.

Kreu i Partisë së Lirisë ka kërkuar vazhdimisht që procesi gjyqësor të transmetohet live, me argumentin se transparenca ndaj qytetarëve është detyrim institucional. Pak ditë më parë ai iu drejtua me një kërkesë zyrtare Gjykatës së Posaçme për lejimin e transmetimit të seancave.

Që prej arrestimit të tij më 21 tetor 2024, Meta nuk kishte dalë publikisht dhe nuk kishte dhënë intervista, ndërsa momenti i ndalimit të tij mbetet një nga episodet më të komentuara politikisht gjatë muajve të fundit.