Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, ka reaguar pas vendimit të GJKKO për ta gjobitur me 50 mijë lekë për mungesën në seancën e sotme gjyqësore.

Seanca për dosjen e SPAK ndaj kryebashkiakut të Tiranës u zhvillua sot në Gjykatën e Posaçme, por mungesa e mbrojtësit të Veliajt solli shtyrjen e procesit.

Ndreca nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit pasi, sipas tij, në të njëjtën kohë kishte një tjetër proces gjyqësor në Gjykatën Civile të Tiranës, të planifikuar prej kohësh. Për këtë arsye, ai kishte depozituar kërkesë për shtyrjen e seancës, duke argumentuar se ndodhej në pamundësi objektive për të marrë pjesë.

Pas vendimit të gjykatës për gjobën 50 mijë lekë, Ndreca reagoi duke kundërshtuar mënyrën se si u trajtua mungesa e tij.

Sakaq në vijim të seancës, GJKKO caktoi edhe një mbrojtës kryesisht për Erion Veliajn, duke emëruar avokaten Valentina Teodoresku.

Për Ajola Xoxën, gjykata vendosi që gjykimi të vijojë në mungesë, pasi sipas saj raporti i lëshuar nga mjeku nuk tregon pamundësi objektive për të marrë pjesë në seancë.

Seanca e radhës është caktuar më 15 shtator, ora 10:00.

Po ashtu pezullohen dhe afatet e paraburgimit par Erjon Veliajn