Afganistan
Prodhimi i opiumit në Afganistan ka rënë me një të tretën, si pasojë e motit të keq dhe sëmundjeve, ndërkohë që sipërfaqja nën kultivim është rritur me 18 për qind në krahasim me një vit më parë, bën të ditur zyra e OKB-së për drogën dhe krimin. Më shumë fermerë janë përpjekur të prodhojnë opium, si pasojë e rritjes së çmimeve të drogës nëpër botë. Rritja e sipërfaqes së mbjellë ndodhi pavarësisht intensifikimit të përpjekjeve të qeverisë për të ndaluar drogën. Gjatë vitit 2012, më shumë se 10 mijë hektarë janë shkulur nga policia.
Kultivimi i opiumit është përqendruar në jug dhe në perëndim të vendit, ku gjenden edhe zonat më të pasigurta të Afganistanit. Plot 17 provinca afgane mbeten në statusin e zonave të lira për opium, për shkak të mungesës së autoritetit shtetëror. OKB-ja thotë se shkaku kryesor i mbjelljes së opiumit lidhet me pasigurinë. “Përmirësimi i kushteve të jetesës, përfshirë më shumë siguri dhe sundim të ligjit, do të sjellin ulje të mbjelljes së opiumit”, tha OKB-ja. Talebanët dhe grupet kriminale në Afganistan dhe Pakistan përfitojnë miliona dollarë nga tregtia e drogës. Afganistani prodhon më shumë se 90 për qind të opiumit në botë.