Një rrjet i mirëorganizuar i shpërndarjes dhe prodhimit të kanabisit në Mbretërinë e Bashkuar, i udhëhequr nga shtetas shqiptarë, është goditur nga autoritetet britanike.

Shtatë persona janë dënuar me një total prej gati 40 vitesh burg, pas një hetimi të gjatë të kryer nga Policia e West Midlands dhe Njësia Rajonale për Krimin e Organizuar.

Hetimi, i cili nisi në maj të vitit 2022, zbuloi një strukturë kriminale që prodhonte dhe shpërndante kanabis në shkallë të gjerë në të gjithë Britaninë.

Emrat dhe dënimet e të dënuarve:

Erikson Kararaj, 34 vjeç, nga Birmingham – 8 vite burg

Arben Sinjari, 48 vjeç, nga Birmingham – 7 vite burg

Islam Toro, 31 vjeç, nga Tipton – 5 vite e 8 muaj burg

Klajdi Zyka, 28 vjeç, nga Darlaston – 5 vite burg

Qemal Sakaj, 29 vjeç, nga Birmingham – 4 vite e 6 muaj burg

Avdulla Delbashi, 31 vjeç, nga Birmingham – 4 vite e 4 muaj burg

Soni Gremshi, 37 vjeç, nga Birmingham – 3 vite e 4 muaj burg

Sipas hetimeve, Sinjari dhe Kararaj ishin drejtuesit kryesorë të rrjetit kriminal, ndërsa pjesa tjetër e grupit merrej me mirëmbajtjen e shtëpive të mbjella me kanabis dhe transportimin e sasive të mëdha në zona të ndryshme të vendit.

Gjatë hetimeve, policia identifikoi 17 prona të shndërruara në shtëpi kanabisi, në qytete si Birmingham, Coventry, Leicester dhe Rotherham. Në total, u sekuestruan më shumë se 4,000 bimë kanabisi, të cilat kishin një vlerë potenciale prej miliona paundësh në tregun e zi.

Po ashtu, nga kontrollet janë sekuestruar dhjetëra mijëra paund para cash, kilogramë të tërë kanabisi të përpunuar, si dhe pajisje të specializuara për kultivimin e drogës.

Grupi kriminal kishte manipuluar rrjetin elektrik për të furnizuar ambientet e fshehta me energji – një praktikë që jo vetëm është e paligjshme, por edhe jashtëzakonisht e rrezikshme për banorët përreth.

Në shtëpinë e Arben Sinjarit, hetuesit gjetën mesazhe telefonike, shënime të shkruara me dorë dhe fletore që dokumentonin aktivitetin kriminal dhe sasitë e shitjeve.

Detektiv Sgt. Ryan Matthews deklaroi pas dënimeve: “Kjo ishte një hetim kompleks, që na çoi në shumë qytete të Britanisë dhe na ndihmoi të shkatërrojmë një rrjet të nivelit të lartë të furnizimit me drogë. Të gjithë këta burra zgjodhën të përfitonin përmes shitjes së drogës, dhe për këtë arsye tani ndodhen në burg.”

“Dëmi që droga dhe trafiku i saj i shkaktojnë komuniteteve nuk duhet nënvlerësuar. Ne mbetemi të përkushtuar për ta luftuar këtë fenomen dhe për të çuar para drejtësisë çdo individ të përfshirë.”

Top Channel