Thuajse në çdo shtëpi, institucione publike e private, një nga detergjentët pastrues të pllakave e pjesëve tjera, është ACE, e cila në përbërje të tij ka klor.


Por Komisioni Evropian, nëpërmjet sistemit të njoftimit për rrezikun nga produktet jo ushqimore RAPEX, njofton se distributorëve dhe marketeve u është kërkuar heqja nga tregu e këtij produkti. Kjo, pasi në përbërje të saj ka rezultuar se ka elementë të tjerë kimikë, të cilët përbëjnë rrezik për përdoruesit dhe veçanërisht për fëmijët nëse bie në kontakt me lëkurën, madje edhe kur ajo është e tretur në ujë.


Sipas njoftimit zyrtar të RAPEX, produkti nuk është konform rregulloreve të Bashkimit Evropian (CLP). Vendi i origjinës së këtij produkti është Turqia, ndërsa problemet janë hasur nga konsumatorë në Gjermani. Ky produkt është në paketime 1 dhe 2 litërshe, me etiketën fillestare në gjuhën turke dhe mbi të ndodhet etiketat e vendosura në gjuhën e shtetit ku tregtohet.


E ftuar në “Wake Up” Ersida Teliti, drejtore e Qendrës“ Konsumatori Shqiptar” tregoi rreziqet që na kanoset nga përdorimi i këtij produkti.


“Është për të thënë që duke pasur në konsideratë se cili është niveli i mbrojtjes që kërkon të ofrojë BE, arsyeja pse tërhiqet nga tregu është për faktin se kjo nuk ka ato elemente të rrezikut që tregon se ACE ka rrezik gërryes për lëkurën.


Mungojnë piktogramet në lidhje me rrezikshmërinë për sa i përket djegies dhe gjithashtu mundësisë sa i përket kontaminimit me kontaktin me duar ose sy për fëmijët.


Kujtojmë që në këtë rast se alerti nuk janë vetëm mbrojtja e personave që e përdorin drejtpërdrejt, por edhe fëmijët, janë konsumatorët me vulnerabël.


Kontakti me ACE në ditët e sotme të pandemisë është rritur, jemi duke e përdorur masivisht në çdo moment. Kështu që rreziku është shumë i madh dhe alerti në fakt ka qenë maksimal dhe reagimi ka qenë pikërisht nga Gjermania”, theksoi ajo.