Studiuesi Afrim Krasniqi ka reaguar pas ndryshimeve sipas tij në Fjalorin Online të Gjuhës Shqipe, pas kritikave të bëra prej tij në rrjetet sociale.
Ai nënvizon se rezultati përfundimtar është një fjalor profesional dhe duhet të ishte konsultuar me ekspertë ttë fushës.
Postimi i plotë:
Lajm i mirë. Autorët e fjalorit e kanë reflektuar kritikën time dhe e kanë ndryshuar përkufizimin për “parti” në fjalorin online. Nuk u prit 9 muaj, por u bë në tri ditë dhe ky gjithsesi është lajm i mirë. I falënderoj sepse synimi është një fjalor profesional, asgjë personale.
Sugjerimi i mëparshëm mbetet në fuqi: mund të ishte evituar i gjithë ky debat nëse fjalori do të ishte konsultuar me ekspertë të fushave respektive, përfshirë studiues të politikës, juristë, historianë, etj. Ndryshimi i ri nuk është i plotë, gjithsesi i afrohet konceptit bashkëkohor të partive si organizime të lira qytetarësh që bashkohen rreth një programi dhe synojnë përmes përfaqësimit në zgjedhje lokale e qendrore të ndikojnë në politika/vendimmarrje, – duke hequr dorë nga etiketimi “klasor” në variantin e mëparshëm.
Le të jetë ky rast edhe një formë pranimi dhe reagimi konstruktiv nga redaksia përgjegjëse, por edhe një nismë për rishikim të një numri shumë më të madh termash që nuk janë gjithashtu korrekt, nuk përputhen me terminologjinë bashkëkohore dhe reflektojnë shprehje e mentalitete të një kohe që ne duhet ta kishim lënë pas që në dhjetor 1990. Pra, në termat politikë, institucionalë, juridikë, etj, fjalori ka ende nevojë për rishikime, plotësime, ndryshime dhe formulime të reja, për ta “depolitizuar” dhe çliruar nga indoktrinimi gjuhën shqipe.
Një shembull tjetër alarmant dhe absurd? Të gjithë autorët janë profesorë, institucioni publikues përbëhet nga profesorë, po shihni pak si është shpjeguar termi “profesor” në fjalorin e ri: krahas shpjegimit të shkencës përmes “punonjësve të prodhimit” thuhet: profesorë janë ata që “kanë përgatitur ose kanë botuar vepra shkencore origjinale të një cilësie të lartë ideologjike e shkencore”. Cilësi ideologjike?! Shaka është kjo? 35 vjet pas rënies së sistemit totalitar, në të cilin cilësia ideologjike ishte kriter mbi atë shkencor, cilësia ideologjike rivjen si standard?! Pa sens e shpjegim. Mund të jetë marrë kopje nga varianti i vitit 1980, mund të ketë gabime teknike, etj, por për të qenë seriozë, nuk ka alibi për absurditete të tilla. Minimumi hartuesit duhet të kishin dëshmuar vëmendje më të madhe me termat që lidhen me vetë titullin e tyre shkencor!
Duhet korrigjuar, redaktuar, depolitizuar dhe këshilluar me ekspertët e fushave. Sa më parë, aq më mirë. Për fjalorin, për gjuhën, për të gjithë. Kjo është një vepër madhore që meriton të gjithë respektin dhe vëmendjen e duhur institucionale, publike dhe akademike.
