Një profesor italian edhe me famë ndërkombëtare po mbahet prej dy muajsh në burgun e Fierit për shkak të një aksidenti, të ndodhur në datën 8 gusht në rrugën “Levan – Fier”.
Ai është Michele D’Angelo, 44 vjeç, profesor biologjie në Universitetin e “Aquila”-s, njëherësh dhe një shkencëtar i famshëm global. Kjo ka sjellë reagimin e një grupi deputetësh italianë, ku njëri prej tyre i është ankuar presidentit Bajram Begaj. Më saktë, deputeti Luciano D’Alfonso ka kontaktuar personalisht kreun e shtetit shqiptar që të ndërhyjë për kthimin e profesorit në Itali, një gjë që e kërkojnë dhe kolegët e tij universitarë.
Incidenti që ka ndodhur në 8 gusht ka përfshirë makinën e profesorit dhe një “Mercedez” të shtetasit shqiptar E.S që dyshohet sipas, medias italiane se ka humbur kontrollin e makinës, ndërkohë që i jepte me shpejtësi.
Sipas mediave italiane, profesori po ecte me 40 km në orë dhe u gjend përballë një makine tjetër që ecte me shpejtësi dhe nuk mund ta shmangte. Autoritetet shqiptare e kanë akuzuar profesorin italian për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe “braktisje të mjetit”.
Mediat italiane i bëjnë jehonë rastit duke thënë se mund të kthehet në një çështje ndërkombëtare.