Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë lidhur me debatet e krijuara rreth projektit në Zvërnec, duke paralajmëruar se do të japë sqarime publike gjatë ditës së nesërme.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë deklaroi se projekti në fjalë është rezultat i një pune disa vjeçare dhe e cilësoi atë si një nismë me rëndësi të veçantë për Shqipërinë.
Rama theksoi se shumë nga informacionet që kanë qarkulluar ditët e fundit nuk përputhen me realitetin dhe premtoi se do të shpjegojë detajet e projektit dhe çështjet që lidhen me të në një komunikim të drejtpërdrejtë.
Në reagimin e tij, kryeministri vlerësoi gjithashtu veprimet e Policisë së Shtetit pas incidentit të ndodhur në zonë, ku një roje private sigurie u arrestua pas dhunimit të një qytetari.
Ai përgëzoi drejtuesit e policisë për reagimin e shpejtë dhe nënvizoi se qasja e tolerancës zero ndaj çdo shkeljeje që cenon besimin e qytetarëve te uniformat blu është rruga e duhur.
Sipas Ramës, sqarimet e plota mbi projektin dhe debatet që e kanë shoqëruar do të jepen nesër në një dalje publike të paralajmëruar për orën 10:00.
“Nesër e kam radhën unë për të folur për një projekt të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, për të cilin punohet prej disa vitesh tanimë dhe i cili nuk ka asnjë lidhje me disa të pavërteta të mëdha, që janë hedhur në qarkullim ditët e fundit.
Ndërkohë e përgëzoj lidershipin e Policisë së Shtetit për reagimin e shpejtë e të saktë, qoftë ndaj atij grushti muskujsh pa tru me statusin e rojeve private të sigurisë, qoftë ndaj drejtuesve vendorë të policisë së Vlorës.
Qasja e re e tolerancës zero ndaj çdo uniforme blu që cënon besimin e publikut, është e duhura.
*Për vetë projektin dhe të vërtetat e të pavërtetat rreth tij, më shumë nesër në 10.00. Live për të gjithë të interesuarit natyrisht”, shkruan Rama.
