150 talente shqiptare po prezantojnë sot startup-et e tyre inovative, duke treguar sesi kanë shndërruar ëndrrat e tyre në biznese funksionale. Në këtë ngjarje mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, i cili njoftoi mbështetjen për startup-et përmes granteve të dedikuara.
Mes tyre janë fituesit e Startup Grant 2024, si dhe 86 startup-e të reja, të cilat kanë marrë lajmin e mirë se do të përfitojnë financim nga Startup Grant 2025.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama theksoi rëndësinë e zhvillimit teknologjik në Shqipëri, duke përmendur projektet e ardhshme: Një super shkollë për teknologjinë që do të hapet së shpejti tek Piramida, bazuar në modelin e suksesshëm francez, Durana Tech Park, një qendër inovacioni për produktet teknologjike, një park i ri hi-tech në Vlorë, i cili pritet të jetë funksional në fillim të vitit të ardhshëm dhe do të krijojë një ekosistem të favorshëm për zhvillimin e teknologjisë.
“Sot, me zhvillimet marramendëse të Inteligjencës Artificiale, shpejtësia e transformimit është më e lartë se kurrë. Ne duhet të jemi gati për të përfituar nga këto mundësi,” tha Rama.
Kjo nismë tregon se inovacioni dhe sipërmarrja e re po marrin gjithnjë e më shumë mbështetje në Shqipëri, duke krijuar një klimë të re për zhvillimin ekonomik dhe teknologjik.
