Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se mbrojtja mjedisore është një pjesë thelbësore e kritereve të BE-së dhe se Shqipëria duhet të ndryshojë një sërë ligjesh për t’i përshtatur me standardet europiane.
Duke folur për projektin në Zvërnec, Kos tha se edhe përpara protestave ishte rënë dakord për shfuqizimin e amendamenteve të vitit 2024 për këto fusha, të cilat do të trajtoheshin në kuadër të kapitullit 27 të negociatave.
Sipas Marta Kos, kapitulli 27 është ndër më kërkuesit në procesin e negociatave, pasi Shqipëria duhet të harmonizojë plotësisht legjislacionin e saj me standardet e Bashkimit Europian në fushën e mjedisit.
“Për projektin në Zvernec, mbrojtja mjedisore është pjesë e kritereve të BE-së dhe ka një sërë ligjesh që duhet të ndryshohen. Edhe para protestave kemi rënë dakord që të shfuqizohen amendamentet për vitin 2024 për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike, këto do të bëheshin për kapitullin 27. Do të inkurajoja autoritetet sa më shpejt që të jetë e mundur.
Protestat janë pjesë e demokracisë dhe mënyra si vendet i trajtojnë ato është e rëndësishme. Inkurajoj që qeveria të trajtojë shqetësimet e qytetarëve, por kapitulli 27 është një prej më kërkuesve, më së shumti sepse Shqipëria duhet të harmonizojë legjislacionin.”
