Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet prej më shumë se dy javësh në qeli, ka reaguar sërish me një postim në rrjetet sociale. Ai ka akuzuar prokurorin Ols Dado se ka stisur një dosje të rreme kundër tij, duke i faturuar si korrupsion edhe lejen për ndërtimin e një shtëpie një katëshe në Yrshek.

Në postimin e tij, Veliaj shprehet: “Shikojeni pak këtë video për të kuptuar se deri ku shkon fantazia e shfrenuar e prokurorit ndërtues, Ols Dado, i cili ka stisur aq shumë në dosjen e rremë kundër meje, saqë më ka faturuar si korrupsion edhe këtë shtëpi modeste 1-katëshe, që një familje e nderuar nga Yrsheku ka ndërtuar me kursime e borxhe, duke ndjekur dokumentacionin ligjor të dhënë nga shoqëria “Fusha”.”

Veliaj vazhdon të akuzojë prokurorin se e di mirë që për të aplikuar për leje ndërtimi, ligji kërkon që ndërtimi të bëhet nga një shoqëri me licencat përkatëse. Ai gjithashtu thotë se familja nga Yrsheku nuk është paraqitur asnjëherë në Bashkinë e Tiranës për të kërkuar lejen e ndërtimit, dhe për këtë arsye e konsideron akuzën për korrupsion lidhur me këtë shtëpi 90m2 si të pabazuar.