Hakerat iranianë e Homeland Justice kanë pretenduar se kanë kryer një sulm kibernetik ndaj Shqipërisë kundrejt sistemeve të Gjykatës së Lartë dhe Prokurorisë së Përgjithshme.
Sipas tyre, kanë arritur të sigurojnë të dhëna e dokumente gjyqësore. Për këto pretendime, ka reaguar Prokuroria e Përgjithshme duke njoftuar se deri në këtë moment, verifikimet nuk kanë konstatuar hakerim. Situata është nën monitorim.
“Për shkak të interesit në lidhje me hakerimin e mundshëm të faqes zyrtare së Prokurorisë së Përgjithshme, ju bëj me dije se nga verifikimet e kryera nga ekspertët e sigurisë së IT-së nuk janë konstatuar gjurmë komprometuese deri në momentin që flasim në formën e hakerimit. Stafet tona të IT-së janë duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën”, shprehet prokuroria.
Rreth një javë më parë, hakerat thanë se kishin sulmuar Postën Shqiptare për shkak të bashkëpunimit të vazhdueshëm me muxhahedinët (opozitën iraniane), një pjesë e të cilëve ndodhen në kampin në Manëz të Durrësit. Paraprakisht, ekspertët nuk janë në dijeni që grupi iranian të ketë marrë të dhëna të rëndësishme dhe se shërbimet e postës kanë akses të plotë në to.
Më 10 mars, Homeland Justice sulmoi edhe Kuvendin duke publikuar email-e të deputetëve ku përfshiheshin njoftime për seancat plenare apo kalendari i punës.
