Ekspertët: Nuk kishte ndërhyrje nga persona të jashtëm


Serveri tatimet BeqiriDenoncimi – Ngjarja ndodhi më 22 nëntor 2013, kur shefi i IT-së në Tatime, Renald Riska, ka konstatuar se të dhënat e një periudhe 4-vjeçare nuk ndodheshin në sistem


IT-ja – Riska u ndalua nga policia, por më pas u la i lirë me urdhër të prokurorisë. Nuk funksionoi sistemi i informacionit të bizneseve për katër vite


Serveri – Emrat, adresat, detyrimet e paguara dhe të papaguara, xhiroja, statusi për mijëra biznese, të regjistruara në katër vjet, është konstatuar se kanë humbur


Sokol Çobo


Hetimet për të ashtuquajturën “serveri i tatimeve” janë mbyllur nga prokuroria, pasi nuk u provua të ketë pasur ndërhyrje të jashtme. Që nga muaji nëntor-dhjetor i vitit 2013, çështja ndodhej në prokurori, ku Tatimet kishin kallëzuar ish-shefin e IT-së, Renald Riska, ndërsa ky i fundit akuzoi drejtuesit e Tatimeve se kishin lejuar disa persona të tjerë të futeshin në këtë sistem. Hetimet kanë qenë të vështira, për shkak të ekspertimeve të këtij serveri, ku Policia Shkencore nuk arriti të zbulojë nëse kishte apo jo ndërhyrje të jashtme. Pas shumë zvarritjesh, disa ekspertë privatë morën përsipër të kryenin ekspertimin, ku në fund konstatuan se serveri i tatimeve nuk funksionoi për disa javë si pasojë e mbingarkesës.


 


Ekspertimet


Që prej fundit të vitit 2013, dosja ndodhej në prokurori, ndërsa çështja u diskutua edhe nga qarqet politike, ku të dyja krahët e politikës akuzonin njëra-tjetrën. Madje, Kuvendi urdhëroi ngritjen e një komisioni hetimor, që me kalimin e kohës veprimtaria u zbeh. Paralelisht, akuza vazhdonte hetimet, ku ankohej shpeshherë për kryerjen e ekspertimeve. Madje, prokurori në akuzën qendrore, Kosta Beluri, në një takim me Policinë e Shtetit u ankua edhe publikisht në muajin shkurt të këtij viti. “Prokuroria e Tiranës po zhvillon hetime për atë që konsiderohet ‘serveri i Tatimeve’, ku ka dyshime se është ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në të dhënat tatimore. Hetimi për këtë rast është bllokuar, për faktin se, për shkak të mungesës së teknologjisë dhe kapaciteteve, Policia Shkencore fillimisht nuk arriti të konkludonte mbi faktin nëse ka pasur ose jo ndërhyrje. Në vijim, prokuroria është në pritje të disa përgjigjeve të tjera për rastin” do të deklaronte Beluri, ndërsa përgjigjet kanë ardhur prej pak ditësh në Prokurorinë e Tiranës, të cilat konkluduan se nuk kishte ndërhyrje nga persona të jashtëm. “Prishja e ‘serverit të tatimeve’ ka qenë nga mbingarkesa. Sistemi u prish për shkak se në të njëjtën kohë ishin futur qindra persona”, thanë burimet nga akuza e kryeqytetit.


 


Të dyshuarit


Në Prokurorinë e Tiranës ishin dy dosje për fshirjen e serverit, ku njëra është denoncuar nga Tatimet, për Riskën dhe punonjësit e një firme private dhe dosja tjetër ka të bëjë me kallëzimin e vetë ish-shefit të IT-së ndaj grupit të auditit. Këto çështje u hetuan veçmas, ndërsa më pas u bashkuan. Akuza mori nën hetim ish-drejtorin e IT-së, si dhe dy ekspertë të tjerë. Kishte dyshime se tre të hetuarit ndërhynë në server dhe kanë fshirë apo kanë kopjuar një pjesë të mirë të të dhënave. Madje, mësohej se të dhënat në server munguan për disa ditë për mijëra biznese. Denoncimi i Drejtorisë së Tatimeve bënte fjalë për fshirje dhe kopjim. Por, hetuesit e çështjes ende nuk kanë përcaktuar nëse ndërhyrjet e mëvonshme sollën rikthimin e këtyre të dhënave apo shërbyen për kopjimin e tyre. Në disa dëshmi dhënë para grupit hetimor, vetë Riska ka mohuar të ketë fshirë serverin e Tatimeve, duke pohuar se në zyrën e tij kanë shkuar disa persona të tjerë. Madje, ai ka bërë një denoncim publik për kërcënime. “Më 15 nëntor 2013, janë prezantuar disa njerëz për të marrë disa të dhëna që dispononte administrata tatimore. Me urdhër të drejtoreshës së përgjithshme, këta persona janë futur për të marrë të dhëna që ligji e përcakton qartë kush e merr dhe si i merr këto të dhëna. Kopjuan të dhënat e administratës tatimore dhe nuk e di ku i kanë çuar. Këta persona kanë marrë të dhëna për 20 vitet e fundit”, ka pohuar ish-shefi i IT-së.