Shperthimi-te-farmacia-1Bashkim Tahiri: S’kam konflikte, dyshoj për detyrën e tim biri. Vladimir Gjuta: Nuk e vendosa unë tritolin. Ministri nuk dëshmoi


“Krahas faktit që nuk janë arritur të grumbullohen të dhëna konkrete mbi veprimet e të hetuarve për kryerjen e veprave penale, Prokuroria për Krime të Rënda nuk zbuloi motiv se përse këta shtetas mund të kryenin veprat penale për të cilat dyshoheshin”, thotë akuza qendrore. Sipas saj, ministri Tahiri nuk ka dëshmuar, pavarësisht disa ftesave. Më parë është pyetur Bashkim Tahiri, babai i ministrit të brendshëm, Saimir Tahiri. Ai është pyetur nga oficerë të policisë gjyqësore për konfliktet e mundshme që mund të ketë për shkak të biznesit, apo probleme të tjera, por ai ka mohuar të ketë konflikte të tilla. Babai i ministrit të Brendshëm ka hedhur dyshime se shpërthimi në biznesin e tij mund të ketë lidhje me detyrën që mban i biri, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. “Dyshoj se tritoli në farmaci është vendosur për shkak të detyrës që kryen im bir”, – mësohet të ketë thënë babai i ministrit të Brendshëm në dëshminë e dhënë përpara oficerëve të policisë. Dëshmia i fokusoi hetimet në pistën e parë që kishte grupi hetimor menjëherë pas shpërthimit në farmacinë e Bashkim Tahirit, mesazh për ministrin e Brendshëm. Dëshmia e babait të ministrit së bashku me deklarime të tjera të marra nga persona që mund të kenë dijeni për autorët apo motivet e ngjarjes iu përcollën Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila i hetoi tri ngjarjet e 10 shkurtit 2015 në një dosje të vetme. Megjithatë, në fund, akuza tha se nuk provoi dot motivin e vendosjes së eksplozivit.


Në pyetje është marrë edhe Vladimir Gjuta, i akuzuari kryesor për vënien e tritolit në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm, i komunikohet akuza në ambientet e paraburgimit, por ai nuk pranon asgjë. Akuza thotë se ka prova të mjaftueshme për të dhe për familjarët e tjerë si të implikuar në terrorin e 10 shkurtit, kur shpërthyen dy pako me tritol në farmacinë e Bashkim Tahirit. Gjuta u tha dje hetuesve se nuk ka gisht në vendosjen e tritolit më 10 shkurt. Ata i paraqitën akuzën që rëndon mbi të, por ai i mohoi në mënyrë kategorike.


Më 18 qershor të vitit të kaluar, Vladimir Gjuta u prangos në tunelin e Kalimashit. Policia fiku dritat, duke krijuar një radhë prej tetë kilometrash, kur po shkonte në Kukës. Gjuta po lëvizte si pasagjer me mjetin e tipit “Opel” me targa Kosove, ku shofer në këtë mjet ishte shtetasi kosovar, Blerim Thaçi. Në momentin e ndalimit, shtetasi Vladimir Gjuta është prezantuar si shtetas kosovar, duke përdorur një letërnjoftim të shtetit kosovar me gjeneralitetet L. Thaçi, lindur në Prizren. Gjithashtu është bërë ndalimi i mjetit “Benz Mercedez”, me targa AA xxx JG, i cili drejtohej nga shtetasi Indrit Ademi. Ky shtetas dyshohet se siguronte rrugën e shtetasit në kërkim Vladimir Gjuta. Gjatë kontrollit të mjetit “Mercedez Benz” me targa AA XXX JG, në pjesën e motorit, te pjesa e sipërme e baterisë, në anën e djathtë është gjetur e mbështjellë me një rrobë të bardhë, një armë zjarri pistoletë me krehër me 13 fishekë, si dhe një objekt metalik, në formë cilindrike, në formën e silenciatorit. Pistoleta ishte e larë në flori dhe mbante inicialet V. Gj. Gjithë kohës, Gjuta kishte qëndruar në Tiranë, në shtëpinë e tij.