Ngjarja e rëndë që tronditi Greqinë më 5 tetor, ku u vranë me armë zjarri pronari grek i një kampingu dhe ndihmësi i tij shqiptar, po merr një kthesë të papritur në hetime. Një 22-vjeçar është vetëdorëzuar në polici dhe ka deklaruar se është gati të bashkëpunojë për zbardhjen e krimit, duke treguar identitetin e autorit.
Fillimisht u raportua se i riu ishte i afërm i viktimës 68-vjeçare, por më vonë hetimet nxorën në dritë se ai është një nga dy të dyshuarit për përfshirje direkte në ngjarje. Sipas mediave greke, i riu shfaqet në pamjet filmike të policisë duke lëvizur me motoçikletën që përdori autori për arratisje.
Në një kthesë të fortë të ngjarjes, 22-vjeçari ka rrëfyer para hetuesve se ishte abuzuar seksualisht nga pronari i kampingut gjatë verës së vitit 2022 një dëshmi që po trajtohet me shumë seriozitet nga autoritetet dhe që mund të hedhë dritë mbi motivet e vrasjes.
Aktualisht, autori i dyshuar i ekzekutimit mbetet në arrati. Policia greke ka ndjekur gjurmët e tij përmes rrjetit rrugor nga Mesinia drejt Athinës, por pavarësisht përpjekjeve të shumta, ai nuk është kapur ende.
Ngjarja ndodhi në recepsionin e kampingut në Finikounda, ku autori me fytyrë të mbuluar hyri me dhunë dhe qëlloi për vdekje pronarin 68-vjeçar. Në tentativë për t’u larguar, u vra edhe 60-vjeçari shqiptar që ishte ndihmës i tij. Një dëshmitar i vetëm që i mbijetoi masakrës ishte nipi i pronarit, i cili arriti të arratisej nga vendngjarja.
Autoritetet greke vijojnë hetimet intensive për të kapur autorin e arratisur dhe për të verifikuar dëshmitë tronditëse të të riut të vetëdorëzuar. Rasti po trajtohet si një nga ngjarjet më të ndërlikuara dhe të ndjeshme të këtij viti në Greqi.