Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se Ministria e Mbrojtjes do të krijojë një departament të veçantë që do të merret me administrimin e pronave të ushtrisë e për t’i kthyer ato në burim të ardhurash për zonën dhe Ministrinë e Mbrojtjes.
Në fjalën e tij në prezantimit në Bulqizë të projektit për Parkun Tematik Retro, Rama u shpreh se shteti nuk do të heqë dorë nga pronësia e këtyre pronave.
“Po hyjmë në një fazë të re të administrimit të pronave të ushtrisë, Ministria e Mbrojtjes po ngre një departament të veçantë të administrimit të tyre pa hequr dorë nga pronësia e shtetit, duke krijuar hapësira për partneritete të natyrave të ndryshme, e duke i kthyer në çfarëdolloj rruge sipas projekteve, këto asete të mbetura që vijojnë herë-herë të trajtohen si vendndodhje ushtarake. ku nuk ka këmbë ushtari, në burim të ardhurash për zonën dhe Ministrinë e Mbrojtjes”, tha ai.




