Kreu i Grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas ekskluzives së publikuar në Gazetën “Shqip” “A ka blerë Shkëlzen Berisha, një pronë 1.8 milionë euro dhe ku i ka gjetur paratë?!”, duke i kërkuar llogari djalit të ish-kryeministrit Sali Berisha.


Përmes një statusi në Facebook, Balla pyet Shkëlzen Berishën nëse ka gjë për të thënë në lidhje me pronën 1.8 mln euro-she. 


“Zen, ke gjë për të thënë? Apo shpifje nga ato që pastaj në gjykatë dalin ndryshe edhe kjo?,” shkruan Balla.



“Zen, ke gjë për të thënë? Apo shpifje nga ato që pastaj në gjykatë dalin ndryshe edhe kjo? Eh mor Zen! Babi dhe Luli qajnë për ekonominë dhe kërkojnë pagë lufte, ty Covid-19 të paska shtu pasurinë. Eh mor Zen, eh!,” është statusi i plotë i Ballës.




Gazeta “Shqip” në shkrimin që kreu i grupit të PS, i referohet, ngre dyshimet për pasurinë e Shkëlzenit. Ai ka me dhjetëra llogari bankare nga Shqipëria deri në Suedi dhe deklaron qindra mijëra euro të ardhura nga puna si konsulent.


Ndërkohë që babai i tij, Sali Berisha thotë se i biri ka një pasuri modeste, të përbërë nga vetëm një shtëpi dhe disa kursime që nuk i kapërcejnë 10 milionë lekë të vjetra.


Burime të Gazetës SHQIP bëjnë me dije, se djali i ish-kryeministrit, që punon si konsulent, ka blerë një godinë, në afërsi të Tiranës, me një çmim prej 1.8 milionë euro. Burimet shtojnë se pagesa është likuiduar menjëherë nga Shkëlzen Berisha, nëpërmjet një banke të nivelit të dytë.


Këtë godinë të blerë në vitin 2018, të cilën Shkëlzeni e përdor për një biznes, nuk e ka deklaruar pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, duke u ekspozuar kështu përpara një vepre penale, atë të fshehjes së pasurisë.